Partitë opozitare kanë depozituar ditën e sotme një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor që do të hetojë udhëtimet e kryeministrit Rama me “charter”. Deputetë të Partisë Demokratike, të Partisë së Lirisë dhe aleatëve kanë firmosur kërkesën për ngritjen e komisionit “për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit në detyrë, nga data 10.09.2013 deri në datë 31.10.2022”.
Sipas dokumentit të depozituar nga opozita, kryeministri rezulton të ketë udhëtuar 137 herë jashtë shtetit me avion privat të tipit “charter”, shifër kjo, që sipas tyre rezulton dy herë me e lartë se ajo e udhëtimeve të ish-Presidenti amerikan Xhorxh W. BUSH. Në dokument theksohen edhe udhëtimet e tjera me avion të linjave të zakonshme, të cilat janë kryer me intervale 3-4 ditore njëri nga tjetri.
Çështje për tu hetuar nga Komisioni Hetimor është kërkuar të jenë edhe udhëtimet e kryeministrit në periudhën e pandemisë Covid-19.
“Kryeministri ka tentuar të shpjegojë në deklaratat e tij publike se avioni që përdor për udhëtime nuk është një charter komercial, se bëhet fjalë sipas tij për avionin e quajtur ‘Ismaili’ i kompanisë ‘Air Albania’, dhe se shpenzimet kryheshin brenda buxhetit të qeverisë…Vetëm 1 (një) orë udhëtim me avion të llojit ‘charter’ kushton mesatarisht 15 deri në 20 mijë euro. Ndërsa, Kryeministri deklaroi publikisht se gjatë vitit 2020 ka shpenzuar mesatarisht 193.331 lekë të reja për udhëtime me avion.” – thuhet ndër të tjera në dokument.
Deputetëve të Partisë Demokratike u janë bashkuar edhe deputetë të tjerë si Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Agron Duka apo Vangjel Dule.