Katër astronautë amatorë janë ulur në tokë pasi qëndruan për 3 ditë në hapësirë. Ata ishin pjesë e ekipit të parë civil që udhëtoi në orbitën e Tokës. Inspiration4 u nis nga një kapsulë e SpaceX në Florida të mërkurën dhe zbriti të shtunën në orën 19:00 me orën lokale.
Katër parashuta ngadalësuan shpejtësinë e zbritjes së kapsulës, derisa ra në ujërat e brigjeve të Floridës. Aty gjendeshin anijet e SpaceX që mundësuan tërheqjen e saj.
Ekuipazhi i Inspiration4 drejtohej nga miliarderi Jared Isaacman, drejtori ekzekutiv i firmës Shift4Payments, i cili ishte në rolin e “komandantit” të misionit. Sipas revistës Time, ai ka paguar rreth 200 milionë dollarë tek miku i tij Elon Musk për 4 vendet në kapsulën Dragon.
Isaacman u shoqërua nga 3 persona që nuk i njihte, por të cilit i kishte zgjedhur vetë, ish-kandidatja e NASA-s për astronaut Sian Proctor, fizikantja Hayley Arceneaux dhe inxhinieri Chris Sembroski.
Kjo është hera e tretë që kompania e Elon Musk dërgon njerëz në hapësirë dhe konsiderohet si moment historik për tregun e turizmit hapësinor. “Urime Inspiration4”, shkroi ai pas kthimit të sigurt.
Gjatë udhëtimit përreth orbitës, astronautët kanë qenë në kontroll nga ekipi i SpaceX në terren. Ekuipazhi u trajnua për 6 muaj.
Tashmë ata kanë kaluar për ekzaminime në lidhje me nivelin e oksigjenit në trup, gjumin, aftësitë njohëse dhe shenja të tjera. Ekspertët synojnë që të kuptojnë se si ka ndikuar udhëtimi në hapësirë tek astronautët që nuk janë profesionistë.
/Burimi: Time/ Përshtati Priza.al/