UEFA vendos sistemin VAR në stadiumin ‘Air Albania’/ Do aplikohet në ndeshjen Shqipëri-Hungari me 5 shtator

Etiketohet me termin ‘VAR’ dhe është sistemi i teknologjisë që ka hyrë në futboll për të ndihmuar gjyqtarët që të marrin vendimet e drejta në fushë. Ky sistem ka të bëjë me rishikimin e pamjeve filmike të një episodi të diskutueshëm që ndodh në fushën e lojës.

Më 5 shtator, kur Kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Hungarisë, për herë të parë do të aplikohet edhe në vendin tonë. Në “Air Albania” janë instaluar të gjitha pajisjet e nevojshme dhe pas dritës jeshile të UEFA-s, do të aplikohet edhe në futbollin shqiptar.

UEFA është bindur totalisht nga aftësia e sistemit VAR dhe ka vendosur ta inkuadrojë në thuajse të gjitha kompeticionet e mëdha futbollistike në Evropë.

Së fundmi, me pëlqimin e FIFA-s, UEFA ka vendosur që të fusë sistemin VAR dhe në ndeshjet kualifikuese të Botërorit Katar 2022 që do të zhvillohen në shtator, duke bërë një hap më tej në futboll.

Por, si funksionon ‘VAR’? Si fillim, gjyqtari informon vëzhguesit e sistemit, ose e kundërta, sistemi informon arbitrin përmes kufjeve se ka një episod të dyshimtë ose më saktë, ka një rast të diskutueshëm. Videoja e momentit të diskutueshëm rishihet disa herë në moviolën e instaluar në sistem, ndërsa gjyqtari informohet përmes kufjeve për vendimin që duhet të marrë.

Gjyqtari mund të zgjedhë ta shohë edhe vetë rastin e diskutueshëm përmes monitorit që ndodhet pak metra larg vijave kufizuese të fushës së blertë, ose mund të mjaftohet me raportin që i përcillet përmes kufjeve, për të marrë vendimin e saktë.  Në Europian sistemi VAR ishte pothuajse perfekt duke pasur një përqindje shumë të vogël gabimi dhe mesa duket e ardhmja e futbollit do të jetë teknologjia.

Por, kur përdoret sistemi ‘VAR’? Janë katër raste kur këtij sistemi, ose thënë ndryshe, teknologjisë në futboll i kërkohet ndihmë:

1-Në rastet kur diskutohet, nëse goli është i rregullt ose jo. Përshembull, nëse lojtari ka kryer faull para se të shënojë ose jo.

2-Në rastin kur kërkohet vendim i saktë për të akorduar kartonë të verdhë ose të kuq.

3-Në rastet e akordimit të 11-metërshave.

4-Në rastet kur duhet përcaktuar saktë identiteti i futbollistit që duhet ndëshkuar me karton të verdhë ose të kuq, pra për të mos ngatërruar lojtarin që do të ndëshkohet.

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *