‘Ujësjellësit të bashkohen në një’/ Rama: Investimet e tre shteteve, dëshmi e forcimit të partneritetit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë këtë të hënë në inaugurimin e godinës së re të Ujësjellës-Kanalizimeve në qytetin e Kamzës.

Projekti është arritur në sajën e një iniciative të përbashkët mes qeverisë shqiptare, gjermane, Bashkimit Evropian dhe qeverisë zvicerane. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se këto investime janë një dëshmi e forcimit të partneritetit të tre shteteve.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë nënvizoi se do të ishte mirë që ujësjellësit të mos jenë të copëtuara, por të bashkohen në një ndërmarrje të vetëm, në mënyrë që dhe menaxhimi i punës të ecë në drejtimin e duhur.

“Është një nisje e mirë e javës, këtu në Kamëz, ku siç e shihni jemi mbledhur një grup që përfaqëson të gjithë partnerët që ne kemi në këtë anë të botës, në Europë, BE-në, qeverinë e Gjermanisë dhe atë Zvicerane, në funksion të një funksioni madhor dhe jetim për Shqipërinë, që është furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë territorin.

Faktikisht shumë fonde në kohën e trazicionit u copëtuan në segmente interesash elektorale, duke mos arritur të investohet në një vizion, program të integruar. Kemi humbur shumë nga këto fonde, për faktin që kemi lënë krejt sistemin e furnizimit të fragmentuar dhe të armotizueshëm shumë më shpejt seç mund të ndodhte normalisht. Brenda këtij viti do të kemi ujë të pijshëm në një masë të madhe të qyteteve urbane shqiptare, sfida është që Tirana, Kamza dhe bashkitë që përbëjnë ato që janë monopolet e Shqipërisë, investimet janë më masive dhe do të nevojitet pak më shumë kohë. Dua të nënvizoj një fakt të rëndësishëm, sidomos mbështetja e qeverisë gjermane dhe ajo zvicerane, padyshim dhe e BE.

Këtë duhet ta themi shumë qartë e hapur që jemi tepër mbrapa, në një masë të madhe ndërmarrjet e ujësjellësve janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjet, si rezultat i shpërfilljes së nevojave për një ndërmarrjeje për të pasur kapacitete teknike dhe burime njerëzore të kualifikuar. Ka pasur progres në këtë drejtim, por të papërfillshëm. Këto ndërmarrje kanë qenë instrumente për të punësuar në shtet, krushq, kushërinj, militantë, e jo duke vlerësuar rëndësinë e ndërmarrjes.

E fundit që dua të them sot, është që reforma e ujit, e cila në letër është shumë e qartë, ka nevojë për një shtytje përpara. Ndërmarrjet e ujësjellësit nuk mund të jetë ndërmarrje që mbahet miell hua, e këtu kam parasysh buxhetin e shtetit. Taksapaguesit nuk kanë asnjë detyrim për të mbajtur me para një ujësjellës tjetër për shkak të mos menaxhimit. Duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku brenda 1 ndërmarrjeje.

Nuk kemi pse të kemi ujësjellësa të copëtuara, mund të bashkohet. Kjo s’do të thotë që të mbyllen këto zyra, por do të thotë që ndërmarrja të bëhet kompani në dobi të qytetarëve. Dëshiroj t’i uroj të gjithëve punë të mbarë dhe besoj që me kushtet e reja të krijuara i gjithë ekipi i Kamzës do të jetë më i motivuar”, tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *