Ministria e Mbrojtjes Ukrainase pret që Rusia të marrë kontrollin e të gjithë rajonit të Luhanskut në Ukrainën lindore brenda dy javëve të ardhshme , duke thënë se pas dështimit për të marrë Kievin, Moska ka ndryshuar strategjinë e saj për t’u fokusuar në Donbas.
Ushtria ukrainase thotë se njësitë ruse po përforcohen në afrimet drejt Slovianskut , ndërsa përgatiten të rifillojnë një ofensivë drejt qytetit lindor. Në Severodonetsk aty pranë, ushtria ukrainase tha se betejat vazhdojnë dhe forcat ruse patën “sukses të pjesshëm” në sulmin ndaj zonave të banuara në lindje të qytetit.
Sloviansku është një qytet strategjik në Ukrainën lindore. Miistria e jashtme ukrainase tha se ushtria ruse dështoi me sulmet në dy qytete në veri dhe veriperëndim të Slovianskut (Barvinkove dhe Sviatohirsk), por ata po vendosin dhjetëra grupe luftarake në zonë.
Ndërkohë SHBA dhe aleatët e saj po vënë një theks të ri mbi nevojën për një zgjidhje të negociuar për t’i dhënë fund luftës. Zyrtarët amerikanë javët e fundit janë takuar rregullisht me homologët e tyre britanikë dhe evropianë për të diskutuar kornizat e mundshme për një armëpushim.
I pyetur nëse Ukraina duhet të lëshojë një pjesë të territorit të saj për të arritur paqen, presidenti i SHBA Joe Biden tha: “Unë nuk do t’u them atyre se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë”. Biden shtoi se “duket” se në një moment se do të duhet të ketë një “zgjidhje” midis dy vendeve, por “çfarë nënkupton kjo, nuk e di”, ka thënë Biden.