Një vit pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, Moska vazhdon sulmet shkatërruese ndaj Kievit ndërsa përballet me një rezistencë të ashpër nga ushtria dhe populli ukrainas. Siç njofton nga Kievi korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze, aleatët perëndimorë vazhdojnë të jenë të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën ndërsa populli ukrainas zotohet të çlirojë vendin nga agresori rus.
Në një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë, Presidenti Joe Biden hyri në një zonë lufte aktive pavarësisht rreziqeve të sigurisë, për të shprehur mbështetjen e palëkundur amerikane ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.
Së bashku me Presidentin Volodymyr Zelenskyy ai bëri homazhe pranë “Murit të Kujtesës” duke nderuar ata që dhanë jetën në mbrojtje të vendit. Më pas nga Varshava, presidenti i dërgoi një mesazh të qartë botës.
“Sapo jam kthyer nga një vizitë në Kiev dhe mund të them: Kievi qëndron i fortë dhe krenar. Dhe më e rëndësishmja, është i lirë”.
Por agresioni rus në shkallë të gjerë ka shkaktuar dëme të mëdha tek popullata ukrainase dhe infrastruktura e vendit.
Instituti Kombëtar Demokratik thotë se 37% e ukrainasve që morën pjesë në një studim thanë se kishin humbur një mik ose një anëtar të familjes që nga fillimi i luftës një vit më parë.
Megjithatë, ukrainasit mbeten me shpresë për të ardhmen, thotë për Zërin e Amerikës drejtori i institutit, Marcin Walecki.
“Pavarësisht këtyre vështirësive të tmerrshme, ukrainasit mbeten shumë optimistë. Ekziston një mbështetje e fortë për udhëheqjen (ukrainase) dhe ka shpresa se me një mbështetje ndërkombëtare, kjo luftë do të përfundojë së shpejti”.
Ai thotë se Rusia a përdorur dezinformata në përpjekje për të përçarë ukrainasit dhe për t’i manipuluar ata se Perëndimi nuk është i angazhuar ndaj vendit të tyre. Kjo strategji ka dështuar, thotë ai.
“92% e ukrainasve duan që vendi i tyre të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe 87% mbështesin anëtarësimin në NATO. Kjo është një mbështetje e fortë që kemi vënë re gjatë vitit të kaluar. Ukrainasit janë shumë pro-evropianë dhe pro-NATO, diçka që nuk e kam parë kurrë në jetën time”.
Analisti ukrainas Mykola Davydluk pajtohet.
“Agresioni rus bëri që popullariteti i NATO-s dhe BE-së të shtohej shumë në Ukrainë. Njerëzit e kuptuan se e vetmja rrugë për Ukrainën ishte drejt Perëndimit. Ne po ecim shumë shpejt në atë drejtim”.
Ukrainasit thonë se janë të fortë dhe të përgatitur pas një vit lufte dhe sulmesh të vazhdueshme me raketa nga Rusia.
“Më 24 [shkurt], ne u mblodhëm dhe treguam se jemi vërtet një komb dhe se nuk e pranojmë agresionin rus”, thotë Antoni, banor i Kievit.
“Pas çdo bombardimi ne jemi bërë edhe më të fortë, jemi përshtatur dhe mbijetojmë çdo ditë. Kjo na bën më të fortë dhe i tregojmë armikut se nuk na frikëson asgjë”, thotë Aliona, banore e Kievit.
Ndërsa vazhdon lufta dhe dalin në dritë krimet ruse të luftës në territoret e çliruara, hulumtimet tregojnë se ukrainasit janë tejet të përkushtuar për fitoren dhe çlirimin e të gjitha territoreve të aneksuara nga Rusia. /VOA