Çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët, që prej agresionit rus në Ukrainë.
Prej dy ditësh në bursë tashmë një fuçi naftë kushton 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë që ishte çmimi në fund të korrikut. Kjo është rënia më e lartë e regjistruar që prej 16 marsit të këtij viti, kur nafta zbriti në 95 dollar fuçia.
Kjo rënie e çmimit në bursë nuk kaloi pa u komentuar edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Ne arritëm të lirojmë një milion fuçi naftë në ditë nga rezerva jonë dhe mblodhëm partnerët tanë globalë për të liruar rezervat e tyre. Tani çmimet janë në rënie rekorde”, deklaroi ditën e djeshme Biden.
Por teksa në të gjitha vendet është reflektuar kjo ulje, çuditërisht kjo nuk do ndodh në Shqipëri.
Për herë të fundit Bordi i Qeverisë është mbledhur para 3 ditësh kur bëri një ulje “simbolike” të çmimeve të naftës dhe benzinës.
Ndërkohë që prej datës 2 gusht, çmimi i naftës në bursë ka ndjekur një trajktore rënëse, Bordi në Tiranë, duket se ende nuk i ka marrë përditësimet e fundit.
Gjëja më e çuditshme është që Bordi i Qeverisë mblidhet urgjent kur rritet çmimi në bursë, ndërkohë që kur çmimi ulet, kjo nuk ndodh.
Pavarësisht reagimeve në rrjetet sociale të qytetarëve, çmimi i naftës dhe benzinës në Shqipëri vijon të jetë më i larti në rajon dhe i krahasuar me shumë vende të BE-së, ku standardi i rrogave është disa herë më i lartë se në vendin tonë.
Teksa Bordi i Qeverisë nuk po mblidhet, qytetarët me të drejtë pyesin nëse: Bordi ka marrë pushimet? Bordi është i paaftë të kontrollojë çmimin e karburanteve në interes të qytetarëve apo për të është më i rëndësishëm xhepi i importuesve sesa ai i taksapaguesve, prej të cilëve ky bord edhe paguhet.