Ulet ndjeshëm numri i vdekjeve për 2022 por mbetet 5% më e lartë sesa para pandemisë; kryeqyteti mban “vendin e parë”

Në vitin 2022 humbën jetën 22.9 mijë persona, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Në krahasim me vitin 2021, kur ishte kulmi i pandemisë dhe u shënuar humbja më e lartë e jetëve në histori prej 30.5 mijë personash, vdekjet kanë rënë me 25%. Edhe në raport me 2020-n, që është viti i parë jo i plotë i pandemisë, tkurrja është 15%.

Megjithatë, në krahasim me mesataren e 2016-2019, që është periudhë normale, vdekjet mbeten 5% më të larta ose rreth 260 më shumë. Efekti është pothuajse tërësisht nga tremujori i parë 2022, ku pasojat e pandemisë ishin ende të pranishme.

Ndërkohë në tremujorin e katërt 2022, vdekjet ishin sa gjysma e të njëjtën periudhë 2020, kur u shënua dhe vala e parë e madhe e pandemisë dhe 37% më të ulëta sesa tetor-dhjetor 2021.

Në tremujorin e katërt 2022, humbjet e jetëve ishin madje më të ulëta që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat dhe 12% më pak sesa mesatarja e 2016-2019.

Mjekët pohuan se kjo tendencë shpjegohet me faktin se pandemia mori jetën e shumë personave që kishin sëmundje të ndryshme, të cilët do të mund të kishin jetuar më gjatë nëse nuk do të ishin prekur nga virusi. Kjo ka bërë që të lehtësohen humbjet e jetëve për periudhën në vijim.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2022, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2021.

Në tremujorin e katërt 2022, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 119 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.258 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë qarku i Beratit me rënie prej 46,6%.

15.6 mijë vdekje shtesë nga pandemia

Që nga marsi i vitit 2022, kur vendi u pushtua nga pandemia janë shënuar gjithsej 15.6 mijë vdekje shtesë në vend, në raport me mesataren e 2016-2019. Humbjet ishin më të rëndat në vitin 2021, me gati 8700 fatalitete shtesë dhe në 2020-n, me 5600 humbje jete më shumë se mesatarja e 2016-2019./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *