Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për mediat ka lajmëruar ditën e sotme se është marrë vendimi për rritjen e normës së interesit me 0.5 pikë përqindjeje.
Gjithashtu Sejko ka paralajmëruar se ekonomia e vendit do të përballet me sfida serioze, ndërsa përmendi edhe ngadalësimin që pritet të ndodhë në eurozonë.
Fjala e plotë:
Inflacioni shënoi rritje në muajt prill e maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2% dhe 6.7%. Këto nivele ishin në kahun e sipërm të pritjeve tona.
Baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës.
Në këndvështrimin makroekonomik, presionet inflacioniste vijojnë të ushqehen nga normat e larta të inflacionit në tregjet botërore, të cilat janë në nivelet më të larta të katër dekadave të fundit, si dhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.
Sipas të dhënave të Instat-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me pothuaj 6% në tremujorin e parë të vitit. Ky ritëm rritjeje ishte – gjithashtu – në kahun e sipërm të pritjeve tona. Rritja ekonomike u diktua nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, rënia e investimeve publike dhe rritja e importeve kanë vepruar në kahun e kundërt.Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave në tremujorin e parë, duke ofruar një faktor shtesë në rritjen e inflacionit. Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në vend zbriti në nivelin 11.3% në tremujorin e parë, ndërsa ritmi i rritjes së pagave në sektorin privat shënoi vlerën 10.5%. Megjithëse rritja e pagave u ndikua edhe nga masat e marra për formalizimin e tregut të punës, ajo sugjeron se mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presione për rritjen e kostove të prodhimit në vend.
Duke ju rikthyer kontekstit makroekonomik, rritja e tremujorit të parë pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Zhvillimet financiare në vend vijojnë të karakterizohen nga prime të kontrolluara rreziku, likuiditet i bollshëm, kurs i qëndrueshëm këmbimi dhe kredi në rritje. Stimuli ynë monetar është përcjellë në norma të ulëta interesi për financimin e sektorit privat. Paralelisht me të, rritja e kërkesës për kredi dhe bilancet e shëndetshme të sektorit bankar, janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kreditimit. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat është forcuar më tej, duke shënuar vlerën 13.8% në muajin maj. Kjo rritje ishte e pranishme si në segmentin e bizneseve dhe në atë të individëve, duke i shërbyer si financimit të konsumit dhe investimeve ashtu dhe nevojave për kapital qarkullues.
Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend.
Megjithatë, përditësimi i parashikimeve tona sipas skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje solide në horizontin afatmesëm. Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare.
Nga ana tjetër, inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim. Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë në rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim. Kjo trajektore pritet ta sjellë inflacionin në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Projeksionet e skenarit bazë parashikojnë një normalizim gradual të politikës monetare në periudhën në vijim. Shpejtësia e normalizimit do të synojë një harmonizim sa më të mirë të intensitetit të stimulit monetar me intensitetin e presioneve afatmesme inflacioniste.
Balanca e rreziqeve mbi inflacionin vijon të mbetet në kahun e sipërm. Në veçanti, goditjet e forta shtesë të ofertës apo shfaqja e efekteve zinxhir të raundit të dytë, do të forconin më tej presionet inflacioniste. Në të kundërt, një ecuri më negative ekonomike e partnerëve tanë tregtarë apo një zgjidhje e shpejtë e konfliktit në Ukrainë do të reduktonte presionet inflacioniste.
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se nivelet e larta të e presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.
Për këtë arsye, në respektim të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
Të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%;
të rrisë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%; si dhe
të rrisë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.
Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm. Në të njëjtën kohë, ky normalizim nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike në këtë horizont.
Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i projeksioneve të skenarit bazë do të kërkojë vijimin e ciklit normalizues të politikës monetare edhe në tremujorët në vazhdim.
Në këtë skenar, shpejtësia e normalizimit do të jetë graduale, por në çdo rast e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.
Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend.