Ultimatumi i Ramës për krimet mjedisore/ Policia intensifikon kontrollet në gjithë vendin: Nuk do të ketë asnjë tolerancë

Pas ultimatumit që ka bërë kryeministri i vendit Edi Rama për abuzimet me mjedisin, për t’i kategorizuar gjithashtu si krime, policia e Shtetit thotë se ka intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për prerje të paligjshme të pyjeve, ndërtimeve pa leje, ndotjes së mjedisit, gërryerjes së lumenjve dhe shkatërrimit të strukturës së tokës.

Në vetëm dy javët e fundit, në gjithë vendin janë evidentuar 215 vepra penale në fushën e mjedisit, për të cilat strukturat e policisë kanë angazhuar 1456 punonjës policie, për parandalimin dhe zbulimin e tyre.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, në konferencë për shtyp, tha se “nuk do të ketë asnjë tolerancë për ata që presin pyjet, shkatërrojnë shtretërit e lumenjve, dëmtojnë mjedisin apo bëjnë gjueti ndaj kafshëve të egra etj”.

Mësohet se nga sot e tutje, policia do të veprojë sipas një plani të hartuar me detyra konkrete për çdo strukturë.

“Nisur nga evidentimi i rasteve të shumta të veprave penale në fushën e krimeve mjedisore, si dhe në zbatim të porosisë së dhënë nga Kryeministri i vendit, për shtimin e masave me qëllim parandalimin e krimeve mjedisore, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të veçantë masash me detyra konkrete për çdo strukturë, me qëllim intensifikimin e punës së saj për parandalimin e tyre, shkëmbimin e informacionit, për rritjen e cilësisë së hetimit të veprave penale që lidhen me krimet mjedisore dhe bashkëpunimin me institucionin e Prokurorisë”, bëri me dije Dervishaj.

“Vetëm dy javët e fundit, si rezultat i kontrolleve në të gjithë vendin janë evidentuar 215 vepra penale në fushën e mjedisit, për të cilat strukturat e Policisë kanë angazhuar 1456 punonjës policie, për parandalimin dhe zbulimin e tyre.

Në këto krime mjedisore janë përfshirë 213 autorë të veprave të ndryshme penale, nga të cilët 23 janë arrestuar në flagrancë, 184 janë proceduar në gjendje të lire dhe 6 janë shpallur në kërkim.

Vetëm për 24 orët e fundit janë evidentuar 6 raste që kanë të bëjnë kryesisht me veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, ku janë konstatuar kamionë që transportonin inerte, të cilat i kanë hedhur jo në vendet e përcaktuara, por kryesisht buzë rrugëve dhe lumenjve.

Po kështu, shqetësuese mbeten ndërtimet pa leje, janë evidentuar 97 raste të tilla; prerja e paligjshme e pyjeve, janë evidentuar 55 raste dhe janë sekuestruar rreth 100 metër kub lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme. Po kështu shqetësuese janë edhe gërryerja e lumenjve, djegia e gomave dhe e mbeturinave, duke shkatuar ndotje të ajrit”, tha Dervishaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *