Unaza e Tiranës është kthyer në një projekt që “gllabëron” në mënyrë të vazhdueshme fonde shtesë që rritin dita-ditës koston duke mbetur larg shifrave fillestare të projektit.
E fundit është një procedurë e hapur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka në objekt “Plotësimin e punimeve dhe rrugët lidhëse në Unazën Lindore, Loti 2” me një fond limit 990 milionë lekë apo rreth 8 milionë euro. Loti 2 i kësaj unaze dhe saktësisht procedura “Rikualifikim i akseve rrugore Unaza Lindore Loti 2” është prokuruar në vitin 2018 dhe u fitua në atë kohë me një ofertë 1.5 miliardë lekë (12 mln euro) nga bashkimi i dy kompanive. Me shtesën e fundit projekti arrin në 20 milionë euro, me rritje 68% nga varianti fillestar.
Projekti i cili në fakt është edhe më hershëm (i prezantuar në 2012) duket se gjatë rrugës ka pësuar rishikime të vazhdueshme dhe këto të fundit kanë mbetur jashtë kontratës ekzistuese.
“Objekti “Plotësimi i Punimeve Dhe Rrugët Lidhëse Ne Unazën Lindore Loti 2” shtrihet në verilindje të qytetit të Tiranës dhe është pjesë e Unazës së madhe të Tiranës. Projekt fillestar i këtij objekti “NDERTIM I RRUGES SE UNAZES SE JASHTME TIRANE (pjesa verilindore seg. kth. Saukut – Bregu I Lumit) LOTI 2” është lancuar si projektim në Qershor 2012. Gjatë periudhës Gusht 2013 deri më sot, gjate zbatimit te punimeve te projektit ka pasur ndryshime, plotësime e saktësime, kryesisht nga kërkesat e ardhura te Bashkisë Tiranë, të cilat kanë marrë miratimin e Këshillit Teknik të ARRSH-së. Me miratimin e Këshillit Teknik në ARRSH me V.K.T Nr 52, Nr. 6610 Prot. datës 27.07.2018, ky projekt u rishikua ku disa nga punimet mbeten jashtë kontratës bazë në përputhje me rikualifikimin e projektit fillestar” thuhet në raportin teknik.
I njëjti dokument detajon se fillimi i objektit është ndërtuar në shtratin e Përroit të Shkallës, duke bërë edhe sistemimin e tij. Aktualisht sipas ARRSH veç sistemimit të bërë në pjesën e Lotit 1, edhe në Lotin 2, është vazhduar me një pjesë të sistemimit në Kolektor të përroit të Shkallës si dhe është në ndërtim e sipër mbikalimi. Në këtë zonë ka përfunduar ndërtimi i një nyje në disnivel me rampa hyrëse dhe dalëse ne rrugën kryesore te unazës nëpërmjet katër rrethrrotullimeve ne te dy anët e saj.
“Më pas Unaza kalon nëpër Fushën e Farkës, që në vetvete është kodër e lehtë me rënie drejt Liqenit të Farkës. Në vazhdim Unaza e Jashtme e Tiranës Loti 2 fillon të zbresë pjesërisht në gropën e liqenit të Farkës, kalon mbi pjesën e sipërme të përroit të Kabatit mbi të cilin aktualisht është ndërtuar edhe kanali për furnizimin e liqenit të Farkës me ujë nëpërmjet Përroit te Surrelit. Më pas Unaza intersekton kurrizin e një kodrine duke dalë në zonën e Shkozës, nëpërmjet një tuneli ne forme box-i. Në pjesën e sipërme të kësaj kodre kalon rruga që lidh rrugën Shkozë-Farkë me Saukun. Projekti në vazhdim zbret në zonën e Shkozës duke kaluar nga pas ish-Uzinës së Autotraktorëve, duke kaluar përqark kodrës pothuaj në pjesën fundore të saj e duke kthyer drejt perëndimit” sqaron dokumenti.
Shtesa e fundit e kontratës nuk është e vetmja që ka kthyer vëmendjen nga Unaza në Tiranë. Vetëm pak kohë më parë u prokuruan edhe disa lote të tjera të lidhura me Unazën e Tiranës që bënin lidhjen me Bulevardin e ri por edhe një sërë lotesh të tjerë që në fond limit ishin rreth 70 milionë euro.
/Burimi: MONITOR/