Ishte viti 2018, kur Doruntina Shala e njohur me emrin e saj të artit Tayna, u bë e njohur në tregun muzikor shqiptar. Reperja hyri në industrinë muzikore asokohe duke bashkëpunuar me Don Phenom. Dyshja sollën këngën “Columbiana” e cila pati një impakt të madh tek publiku, duke u kthyer shumë shpejt në një hit.
Sot pas katër vitesh, kënga numëron 71 milion klikime në ‘Youtube’. Kohët e fundit u përfol gjatë në rrjet për një sherr midis Don Phenom emri i vërtetë i të cilit është Marin Sterkaj, me Taynën. Deri më tani reperët kishin zgjedhur të heshtnin rreth kësaj çështje.
Së fundmi në një intervistë për emisionin “ABC-ja e Mëngjesit” reperi shkodran theu heshtjen, duke folur për herë të parë rreth sherrit të supozuar në rrjetet sociale. Dhe jo, nuk ka një prishje të marrëdhënieve mes bashkëpunëtorëve. Ndër të tjera Don Phenom u shpreh se e ka shoqe dhe gëzon një respekt të madh për Doruntina Shalën (Tayna).
“Unë e dua shumë Taynën dhe e përshëndes. Kemi një marrëdhënie të paparë. Kemi një respekt reciprok, për të dhe krejt stafin e saj. Fansat ose dikush e ka krijuar këtë për klikime. E kam shoqe,”- përfundoi reperi.