Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij për të qëndruar në garën presidenciale, kjo pas thirrjeve për të dhënë dorëheqjen pas performancës së tij të zymtë në një debat televiziv me Donald Trump.
Në një intervistë për NBC News , presidenti amerikan u shpreh i vendosur për të vazhduar garën presidenciale.
“Unë jam i moshuar – por jam vetëm tre vjet më i madh se Trump, numri një dhe numri dy, mprehtësia ime mendore ka qenë shumë e mirë,” tha zoti Biden, ndërsa përballej me pyetje për moshën e tij.
“Unë kam bërë më shumë se çdo president. Kështu që unë jam i gatshëm të gjykohem për këtë,” tha ai.
Biden tha se miliona votues demokratë e kishin zgjedhur atë përmes zgjedhjeve paraprake dhe ai po i dëgjonte ata.
I pyetur se me kë konsultohet kur bëhet fjalë për çështje si qëndrimi në garë apo braktisja, zoti Biden tha: “Unë. Unë e kam bërë këtë për një kohë të gjatë.”
“Ajo që po bëj është të dal dhe t’i demonstroj popullit amerikan se nuk kam nevojë për shënime. Mund të dal dhe t’i përgjigjem çdo pyetjeje. “tha ai.