Pas deklaratave të njëpasnjëshme të ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim e cila kërkonte ndalimin e kandidimit të tij si deputet në 25 prill, ka ardhur edhe përgjigjja e Tom Doshi.
Ai shkruan se ka qenë gjithnjë në mbështetje të Amerikës, duke vënë theksin se ka qenë një person kyç për votimin e saj në parlament. Doshi shkruan se në këto zgjedhje qëllimi është që të zhdukin korrupsionin, ndërsa ka bindjen se pas 25 prillit, PSD do të jetë forcë e tretë.
“PSD është krijuar në 1991, ne jemi parti e qendrës, përfaqësojmë të majtë, të djathtë, të persekutuar, komunistët, të gjithë që kanë bindjet e tyre. Sloganin e kemi “Na jepni besimin t’ju kthejmë shpresën”. Shqiptarët janë të pashpresë, PSD-ja është e vetmja forcë që do t’ju kthejë këtë shpresë. Shqetësimi më i madh është korrupsioni.
Ju citoj thënie të Papës, “korrupsioni është si lebra, që sëmurë dhe vret shpresën”. Unë jam një mbështetës i Amerikës, ka qenë një shpresë për mua që në 1991 por punën më të madhe që ka bërë për shqiptarët, Amerika është reforma në drejtësi. Te kjo reformë unë jam njeriu kyç, që ajo reformë ka kaluar.
Në këto zgjedhje në do të jemi forcë e tretë. Doktori i tamponëve kur më tha që kam bërë 19 mijë tamponë dhe askujt nuk i kam marrë një qindarkë, i thash ku mund të gjej një njeri që mund të përfaqësojë Tiranën më mirë se ty? 19 mijë tamponë me zero lekë, pa ambulancë.
Me makinë të vet. Jeni të gjithë figura të pastra, që s’mund t’ju akuzojë kërkush për korrupsion. Detyra jonë është të dhurojmë edhe buzëqeshje sikur ka thënë edhe Nënë Tereza” tha ai.