“Unë nuk jam për tu kontrolluar”/ Vrasja e efektivit Saimir Hoxha, policia jep zyrtarisht dinamikën e ngjarjes, ja çfarë ndodhi dje

Policia e Shtetit ka dhënë informacionin përfundimtar lidhur me ngjarjen e ndodhur dje, ku mbeti i vrarë në krye të detyrës oficeri i Policisë Saimir Hoxha.

Policia deklaron se patrulla e Policisë, ku ndodheshin 3 efektivë është shkëmbyer me makinën ku ndodhej autori 500 metër larg parcelës së gjetur me bimë narkotike. Ndërkohë që makina ku ndodheshin tre të rinjtë është kthyer dhe ka shkuar pas makinës së policisë dhe ndaj policia ka vendosur ta ndalojë.

Dy shokët e 21-vjeçari Aldi Rama i janë bindur policisë, por ai vetë pasi i ka thënë disa fjalë, duket se e ka qëlluar gjakftohtë nënkomisarin Saimir Hoxha.

DEKLARATA E PLOTË E POLICISË

Më datë 28.09.2021, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për kontrollin e territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për ekzistencën e një miniparcele të kultivuar me bimë narkotike, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Lezhë është formuar grupi i kontrollit, me qëllim kontrollin e zonës Kune Vain. Grupi i kontrollit përbehej nga tre punonjës policie dhe kryesohej nga shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë. Punonjësit e Policisë kanë qenë me veshje civile dhe njëri prej tyre ishte me jelek fosforeshent me mbishkrimin Policia. Grupi i kontrollit ka konstatuar një miniparcelë me bimë narkotike, ku janë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies, 62 bimë narkotike, ku disa nga këto bimë janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimeve të nevojshme, në interes të dokumentimit të plotë ligjor të kësaj vepre penale. Materialet procedurale lidhur me kultivimin e bimëve narkotike do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, më datë 29.09.2021.

Gjatë kthimit, në një distancë rreth 500 metra nga miniparcela ku u asgjësuan bimët narkotike, grupi i kontrollit është shkëmbyer me automjetin tip “Volksëagen” me targa AA984TL, në vendin e quajtur Vain, Ishull Lezhë. Ky automjet, pasi është shkëmbyer me automjetin që lëviznin punonjësit e policisë, pas disa minutash është kthyer dhe ka lëvizur në drejtim të qytetit të Lezhës, mbrapa automjetit të punonjësve të Policisë.

Grupi i kontrollit ka vendosur që ta ndalojë automjetin dhe të ushtrojë kontroll, në vendin e quajtur “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”. Pasi iu është dhënë shenjë ndalimi, me qëllim verifikimin e tyre, automjeti është ndaluar dhe punonjësit e Policisë, pasi janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit, u kanë kërkuar personave që ndodheshin në automjet dokumentet e identifikimit dhe kanë ushtruar kontroll fizik tek shtetasit Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të cilët kanë paraqitur dokumentet e identifikimit dhe i janë bindur kontrollit fizik të Policisë. Në momentin që nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasit që ndodhej në sedilen e pasme të automjet, ai është shprehur se “Unë nuk jam për tu kontrolluar…”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe e ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i Policisë ka gjetur vdekjen. Autori i vrasjes së oficerit të Policisë ka mundur të kalojë në vendin e shoferit dhe është larguar me automjetin me të cilin udhëtonin këta persona. Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. (Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, që përkojnë me armët e punonjësve të Policisë. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda). Në ndihmë të grupit të kontrollit, pas njoftimit të dhënë për ngjarjen, kanë shkuar forcat “Shqiponja” dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore dhe te Komisariatit të Policisë Lezhë. Nga ndjekja që i është bërë automjetit, autori tashmë i identifikuar si Aldi Rama, ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke iu fshehur ndjekjes së mëtejshme të forcave të Policisë.

Menjëherë, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, të Komisariatit të Policisë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë marrë masa për kufizimin e zonës dhe ngritjen e pikave të kontrollit.

Në ndihmë të tyre janë dërguar me urgjencë forcat special Renea, Reparti i FNSH Shkodër dhe Reparti i FNSH Tiranë. Në drejtimin e këtyre forcave kanë qenë drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Pas disa orë ndjekjeje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit.

Forcat special Renea dhe FNSH kanë bërë rrethimin në një perimetër të gjerë të vendit, ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për rreth 45 minuta që autori të vetëdorëzohej. Shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes për vetëdorëzim, por është vetëplagosur në kokë me armën tip TT, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po kështu, në afërsi të vendit ku u gjet i vetëplagosur autori, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë provës materiale një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 milimetra si ato që përdorin pistoletat TT. Autori i vetëplagosur është transportuar me barelë menjëherë deri në vendin e quajtur “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”, pasi ishte e pamundur futja e autoambulancës në vendngjarje, për shkak të terrenit. Më pas është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë me autoambulancë dhe më vonë nga autoritetet spitalore është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit të braktisur, këqyrja e vendit ku është vetëplagosur autori Aldi Rama, pyetja me cilësinë e presonit që kanë dijeni për rrethanat e hetimit të punonjësve të policisë, si dhe të dëshmitareve të tjerë okularë, sekuestrimi i pamjeve filmike të përfituara nga kamerat e sigurisë në të gjithë aksin rrugor dhe në zonën përreth vendit të ngjarjes. (Ky veprim hetimor vijon edhe gjatë ditës së sotme), sekuestrimi në të gjitha vendet i provave materiale, përgatitja e vendimeve të ekspertimit në lidhje me provat dhe dërgimi i tyre në Institutin e Policisë Shkencore, etj. (Në ndihmë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është dërguar një grup ekspertësh të Institutit të Policisë Shkencore Tiranë).

Në përfundim të kryerjes së veprimeve procedurale janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

1. Aldi Rama, 21 vjeç, banues në Lezhë, lagja “Skenderbeg”, për veprën penale “Vrasjes e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municonit”, parashikuar nga neni 278 i kodit Penal, i dënuar më parë me vendimin Nr.53-2019-708, datë 04.03.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me 3 vite e 4 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lë ndë ve narkotike”, (arrestuar më datë 29.07.2018 dhe liruar me kusht më datë 04.03.2019). Gjithashtu ky shtetas rezulton të jetë arrestuar më datë 20.10.2020, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lë ndë ve narkotike”, pasi i është gjetur një sasi lënde narkotike canabiss sativa, ku me vendimin 261, datë 22.10.2020, të Gjykatës së Rrethit Lezhë, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest me burg”. Me vendimin nr.375, datë 06.05.2021, Gjykata e Rrethit Lezhë, ka vendosur shuarjes së masës së sigurimit arrest me burg dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi. (Ky shtetas ka gjetur vdekjen në spitalin e Traumës Tiranë në orën 05.35 minuta të mëngjesit të sotëm. Nga grupi hetimor edhe aktualisht vazhdojnë veprimet hetimore për kryerjen e autopsisë dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes së këtij personi.)

2. Armando Marku , 26 vjeç, i arrestuar për veprat penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal. Ky shtetas ka qene i dënuar më parë për veprën ne penale “Vedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

3. Kristjan Sherri, 25 vjeç, i arrestuar për veprat penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit vazhdon hetimin për të verifikuar lidhjen e autorëve të arrestuar me miniparcelën e asgjësuar nga ana e policisë. (Rezultatet e hetimit mbi këtë çështje do ti bëhen të ditura opinionit publik në një njoftim të posaçëm në ditët në vijim.)

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *