“Universitetet duhet të tërheqin fonde”, Rama i ‘prerë’: Rritje pagash uniforme mos kërkoni

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pedagogëve duke thënë se univeristetet nuk janë gjimnaze dhe se koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme sepse këtë e kërkojnë Sindikatat i ka ardhur fundit.

Rama theksoi më tej se Universiteti duhet të jetë aktor në treg dhe të thithë fonde nga të gjitha anët duke shtuar se qeveria do të mbështesë më shumë ata që i sjellin më shumë shoqërisë.

Së pari ai raporti që ju thatë një e treta financim i shtetit dhe dy e treta financime të garantuara nga vetë universiteti është thelbi i drejtimit që ne kemi marrë por, që jemi akoma larg së pasuri të konsoliduar. Ne patëm një diskutim me rektorët për çështjen e pagave dhe duhet të jetë shumë e qartë që bota akademike është diçka ndryshe nga e gjithë pjesa tjetër. Që do të thotë universitetet nuk janë gjimnaze, nuk janë shkolla 9-vjeçare.

Trupat pedagogjike nuk janë trupat e infermierëve apo të mjekëve, as të punonjësve të policisë apo ushtarakëve dhe kështu me radhë, që janë trupat të cilat mbajnë vetëm me pagën e shtetit. Përgjithësisht me reformën e autonomisë spitalore do të diferencohen edhe pagat e mjekëve sipas performancës, por përgjithësisht janë uniforme. Universiteti është midis jetës përpara sesa siç thuhej dikur të hyjmë në jetë dhe hyrjes në jetë, që do të thotë është midis shtetit dhe tregut. Universiteti duhet ta ketë pjesë të ADN-së vetë thithjen e të ardhurave nga tregu. Të jetë një aktor në treg ashtu sikundër të jetë edhe një magnet për të thithur fondet nga të katërta anët për kërkimet shkencore, për projekte etj etj.

Kjo sjell domosdoshmërinë që ne të kuptojmë që koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme sepse kërkojnë sindikatat ka mbaruar bashkë me Reformën e Arsimit të Lartë. E cila është e shkruar “autonomia është liri, është dhe përgjegjësi”. Ne është hera e fundit që bëjmë rritje page uniforme. Do të mbështesim më shumë ata që do i sjellin më shumë shoqërisë dhe ata që janë në gjendje t’i ofrojnë më shumë studentëve. S’ka rrugë tjetër dhe patjetër që nuk mund të ketë rritje page për universitetet që të mos jetë një rritje page e kombinuar midis mbështetjes së shtetit dhe të ardhurave që shteti siguron, jo nga tarifat e studentëve, ajo është një bazë, por nga futja si aktor në treg”, tha Rama.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *