Ura në Bunë/ Komisioni i ligjeve miraton marrëveshjen me Malin e Zi

Miratohet te ligjet marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e Urës mbi Bunë. Opozita akuza për kostot e larta dhe dëmtimin e mjedisit. Zv Ministri i Financave thekson se fuqizon, turizmin, bujqësinë, kulinarinë dhe transportin.

Miratimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për ndërtimin e urës mbi bunë, që synon fuqizimin e turizmit, bujqësie, transportit, kulinarisë e peshkimit, është shoqëruar me debate në Komisionin e Ligjeve. Saimir Koreshi, Deputet i Partisë Demokratike, ngriti dyshime për rritjen e kostos së ndërtimit të Urës mbi Bunë, por edhe për dëmtimin e ekosistemit.

‘Kjo zonë është e mbrojtur në konventën e “Ramsajit” dhe në asnjë nga 4 pikat e juaja nuk trajtohet fakti se çdo bëhet dhe a ndikon kjo infrastrukturë… Aty është ngjala europiane, që është specie në zhdukje. Fillimisht vlera e projektit ishte 9 mln euro, tani shkon 20 mln euro, por pa specifikuar pse ka ndodhur ky ndryshim? Mos duhen lekë për zgjedhje?’- tha deputeti Saimir Korreshi.

‘Sikurse mund ta shikoni në relacioni projektim është paguar, 187 955 euro pa TVSH. Në fillim ishte menduar një vepër më e thjeshtë, por më tej është arritur se do realizohet projekti me trarë çeliku, soleta do jetë me beton arme, ka një gjatësi 600 metra, gjerësi 17 metra, dy trotuare, korsi biçiklete, dhe korsi për mjetet mbi 3.5 metra. Lartësia 10.3 metra mbi nivelin e lumit. Për sa i përket zonës së mbrojtur, në vijim të procesit të hartimit të projektit teknik, po shqyrtohet vlerësimi i ndikimit në mjedis.’- u shpreh Gentian Kërri, zëvendës drejtor i FSHZ-së.

Shqetësim për opozitën mbetet dhe çështja e lundrimit mbi Bunë.

‘Urë fikse apo lëvizëse? Pasi ka patur diskutim mbi lundrimin mbi lumin Buna! A e ka konsideruar këtë mundësi zhvillimi?’- tha Mediu.

‘Projekti aktual fikse, ka lartësinë për të lejuar lundrimin mbi lumin Buna.’- u përgjigje Kërri.

Në prezantimin e marrëveshjes, zv Ministri i Financave dhe Ekonomisë sqaroi se ura e re që propozohet ndërtohet forcon lidhjen mes dy komuniteteve shqiptare në dy anët e kufirit.

‘Për të folur me shifra, në të dyja krahët e lumit, 360 000 turistë që vizitojnë Velipojën, 170 000 që vizitojnë Ulqinin, që tashmë me urën e re do ta kenë më të lehtë të komunikojnë mes tyre. 34 km plazhe të palidhura aktualisht mes tyre. Distanca aktuale është 73 km, nga pika kufitare e Muriqanit, 1 orë e 30 minuta ecje me automjet, që reduktohet në 300 metra, apo 5 minuta në sezonin e verës.’- u shpreh Endrit Yzeiraj, zv.ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Në fund të diskutimeve, Komisioni i Ligjeve, me votat e mazhorancës miratoi marrëveshjen, duke i dhënë dritën jeshile për kalimit në seancë plenare të enjten. Ura mbi Bunë pritet të jetë gati 18 muaji pasi të përfundoi procesi i tenderimit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *