Uragani Fiona po vazhdon të forcohet – duke kërcënuar jetët në pjesë të Karaibeve, thonë sinoptikanët amerikanë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) tha se stuhia e kategorisë së dytë që aktualisht ka shpejtësi prej 110 mph (175 km/h) mund të përkeqësohet edhe në kategorinë e katërt – përcaktimi i dytë më i lartë.
Shiu po godet Porto Rikon, ku të paktën dy persona kanë vdekur dhe 90% e ishullit mbetet pa energji elektrike.
Presidenti i Republikës Domenikane thotë se dëmi atje është “i konsiderueshëm”.
Luis Abinader ka shpallur tre provinca lindore si zona katastrofash, mes paralajmërimeve nga NHC për “reshje të dendura dhe përmbytje të menjëhershme kërcënuese për jetën” në zonat lindore.
Disa fshatra u ndanë në mes pasi ujërat u rritën e qindra njerëz u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe mijëra mbetën pa energji elektrike.
Përditësimi i NHC gjithashtu paralajmëroi për kërcënimet e vazhdueshme për jetën në Porto Riko për shkak të “përmbytjeve katastrofike”.
Fiona mbërriti atje të dielën, duke shkaktuar jo vetëm përmbytje, por edhe rrëshqitje të gjerë dheu dhe balte.
Presidenti i SHBA Joe Biden u zotua të rrisë mbështetjen për ishullin pas një bisede me guvernatorin.
Imazhet e shpërndara në mediat sociale kanë treguar makina të zhytura në ujë dhe njerëz që përpiqen të ecin nëpër rrugë të mbushura me ujë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për të shpëtuar ata që kanë mbetur të bllokuar.
Rrjeti elektrik i Porto Rikos mbetet i brishtë pasi ishulli u shkatërrua në 2017 nga uragani Maria – stuhia më e fuqishme në historinë e tij.
NHS tha se thelbi i uraganit më pas pritej të lëvizte pranë ishujve më lindorë Turks dhe Caicos.
Kushtet e stuhisë u parashikuan gjithashtu në Bahamas, ndërsa njerëzit në Bermuda janë këshilluar të monitorojnë përparimin e Fionës.