Uragani Milton po afron, banorët e Floridës largohen për ti shpëtuar

Banorëve të Floridës nuk u ka mbetur edhe shumë kohë për t’u evakuuar ose për t’u strehuar përpara se të godasë uragani Milton, që parashikohet të jetë një nga më shkatërruesit që ka goditur ndonjëherë bregun e Gjirit të Floridës.

Me më shumë se një milion banorë në zonat bregdetare nën urdhra për evakuim, ata që po largoheshin drejt zonave më të larta bllokuan autostradat dhe pikat e karburantit, në rajonin që ende po rimëkëmbet nga pasojat e uraganit Helene, më pak se dy javë më parë.

Stuhia parashikohet të godasë zonën metropolitane të Tampa Bay, ku jetojnë mbi tre milion njerëz, megjithëse parashikuesit thanë se rruga e saj mund të ndryshojë përpara se të prekë tokën në orët e vona të së mërkurës në mbrëmje ose herët të enjten në mëngjes, sipas kohës lokale.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryetarja e Tampas, Jane Castor, paralajmëruan njerëzit në zonat e evakuimit që të largoheshin ose do ta rrezikonin vdekjen.

Michael Tylenda, i cili po vizitonte djalin e tij në Tampa, tha se po i përgjigjej këtij këshillimi.

“Nëse dikush di diçka për Floridën… kur nuk evakuohesh pasi urdhërohesh, ke gjasa të vdesësh”, tha Tylenda. “Ka pasur shumë njerëz që kanë qëndruar në shtëpitë e tyre dhe kanë përfunduar duke u mbytur. Nuk ia vlen. Shtëpia mund të zëvendësohet. Gjërat mund të zëvendësohen. Kështu që është më mirë të largohesh nga qyteti”.

Milton pritet të ruajë forcën si uragan ndërsa kalon gadishullin e Floridës, duke sjellë gjithashtu rrezik për stuhi në bregun Atlantik të shtetit.

Rreth 2.8 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të SHBA-së është në rrugën direkte të Miltonit, tha Ryan Sweet, kryeekonomist i SHBA-së në Oxford Economics. Linjat ajrore, kompanitë e energjisë dhe një park i Universal Studios janë ndër kompanitë që kanë ndaluar operacionet e tyre në Florida ndërsa po përgatiten për ndërprerje.

Milton u bë stuhia e tretë me intensifikimin më të shpejtë në historinë e Atlantikut, duke kaluar nga Kategoria 1 në Kategorinë 5 në më pak se 24 orë.

“Këto temperatura jashtëzakonisht të ngrohta të sipërfaqes së detit ofrojnë karburantin e nevojshëm për intensifikimin e shpejtë që pamë të ndodhte”, tha shkencëtari klimatik, Daniel Gilford, nga Climate Central, një grup kërkimor jofitimprurës. “Ne e dimë që ndërsa njerëzit rrisin sasinë e gazeve serrë në atmosferë, kryesisht duke djegur lëndë djegëse fosile, ne po rrisim atë temperaturë në të gjithë planetin”.

Trafiku i dendur bllokoi rrugët që çonin jashtë Tampas të martën, kur rreth 17 për qind e afro 8.000 stacioneve të karburantit të Floridës kishin mbetur pa furnizime, sipas monitoruesit të tregjeve të karburantit GasBuddy./REL

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *