Nëse jeni duke pritur autobusin urban në një prej stacioneve të ndryshme të Tiranës dhe ai vonohet, mos u mërzisni… Ky është problemi më i vogël!
Ju nuk e merrni dot me mend se sa luftë që bëhet për atë 40 lekësh që ju paguani në çdo udhëtim që bëni me një nga urbanët e linjave.
Mos u qani dhe ankoni as kur nuk merrni një biletë nga faturino… ai ka urdhër të mos u japë bileta!
As kur shoferi nuk e ndez kondicionerin të freskojë autobusin që qelbet era hudhër dhe djersë, sërish mos u bezdisni… Shoferit edhe mund t’i mbarojë karburanti dhe autobusi të fiket, dhe ju rrugën e mbetur për në punë a takim, ta bëni në këmbë me vrap.
Kur jeni në urbanët e Tiranës, thjesht shtrëngoni rreth hundës tuaj maskën që mbani për Covid, e nëse nuk e keni një të tillë do të bëni mirë që ta mbani kur hipni. Jo se maska do t’u mbrojë nga kovidi. Aspak!
Por ajo ju mbron vetëm nga erërat e këqija dhe aroma e papastër e urbanit.
Të gjitha këto janë situata që duhet t’i “duroni” edhe pse paguani 40 lekë, apo keni blerë më shtrenjtë një abone. Ka edhe shumë më keq se ju.
Shoferët e urbanëve të disa linjave mes të cilave edhe ajo e unazës prej 6 muajsh nuk marrin pagat. Po ashtu edhe faturinot. Por më e bukura është se kur këta kërkojnë të largohen nga puna, “hanë” edhe dru.
Po po! Sepse një pjesë të linjave të urbanëve që duhet t’i kontrollonte me rigorozitet Bashkia e Tiranës, në fakt kanë rënë në dorë të një çete bashipozukësh që edhe Haxhi Qamili do t’i kishte zili.
Kjo bandë nuk pyet për qindra mijëra sy udhëtarësh që qarkullojnë në ditë me urbanët e Tiranës, as për jetën dhe sigurinë e udhëtarëve, apo të stafeve dhe automjeteve. Jo, fare! Ata kanë për qëllim vetëm të ndajnë dhe shqyejnë si “plaçkë lufte” fitimet e kapura çdo ditë nga pagesat e qytetarëve.
Duan vetëm të mbajnë peng linjat e kryeqytetit që të mos u futet konkurrenca, si dhe punonjësit nën presion, pa paga, pa sigurime dhe pa të drejtë largimi kur duan të lënë punën.
Dhunë dhe kaos në linjat e urbanëve
Një ditë më parë “Priza.al” botoi ekskluzivisht me foto, lajmin për rrahjen e një prej shoferëve të autobusëve të linjës së Unazës në Tiranë, Enver Dishani, i cili ishte dhunuar brutalisht dhe kishte përfunduar për mjekim në spital.
“Priza.al” e konfirmoi këtë lajm edhe përpara Policisë së Tiranës, e cila edhe pse ishte njoftuar nga viktima për ngjarjen, vetëm pas disa orësh u vu në lëvizje dhe konfirmoi zyrtarisht lajmin.
Shoferi Dishani ishte dhunuar nga disa persona që i shërbejnë pronarit të kompanisë që administron linjën e Unazës, Ferdinand Ibrahimit. Ky i fundit tashmë është i famshëm për problemet që ka prej vitesh me këtë linjë, me automjetet, problemet, vonesat e pafundme të pagave, mosdeklarimin e punonjësve, dhunën etj.
Por dy vite më parë Ibrahimi, edhe pse pronar kompanie dhe president i Shoqatës së “Transportit Urban”, u arrestua në krye të një grupi prej 8 personash që bënin evazion fiskal ndaj shtetit dhe bashkisë, duke falsifikuar biletat e urbanëve dhe duke fshehur xhiron dhe fitimin real.
Por tashmë Ferdinandi ka kopjuar edhe “gangsterët amerikanë” sidomos ata italo-amerikanë dhe kompanisë së tij të transportit urban i ka shtuar edhe një çetë mercenarësh që i përdor për të frikësuar apo dhunuar punonjësit.
Por sot “Priza.al” ka mësuar të tjera fakte rreth kaosit dhe dhunës që ka pushtuar disa linja urbanësh në Tiranë.
Rezmi Lika (poshtë në foto), është personi që një ditë më parë dhunoi shoferin e urbanit të Unazës, Enever Dishani.
Nga sa kemi mësuar prej bashkëpunëtorëve tanë, “Lika vetë është pronari i linjës urbane së Vorës, por ka në menaxhim apo ruajtje edhe linjat e Ferdinand Ibrahimit”.
Burimet i thanë më tej “Priza.al” se sot, shoferët e Unazës nuk kanë pranuar të dalin në punë pasi kanë mbi 6 muaj pa marrë pagat mujore.
“Shoferët nuk pranojnë të punojnë, por i detyrojnë me dhunë e kërcënime. U thonë se po nuk dolën në punë nuk do të marrin as pagat e prapambetura. Ferdinandi përdor këta rrugeçërit për të dhunuar e trembur shoferët dhe faturinot që janë hallexhinj për bukën e gojës. Ky Rezmiu dje me çunat e tij ka rrahur Enver Dishanin, por më parë ka rrahur edhe disa shoferë të tjerë”,- deklaruan burimet për “Priza.al”.
Për ngjarjen e djeshme, “Priza.al” mësoi nga burime nga Policia e Shtetit, se Rezmi Lika u shoqërua në komisariatin nr. 4 të Tiranës, por pas “sqarimeve” ai u la i lirë pas 3 orësh, edhe pse kishte ushtruar dhunë dhe kishte bërë për spital një person.
Me të drejtë “Priza.al” u drejton autoriteteve si të Bashkisë Tiranë, ashtu dhe të Policisë së Shtetit pyetjet: Kush e mbron Rezmi Likën që lirohet edhe pse dhunon qytetarë? Si është e mundur që Ferdinand Ibrahimi lë 6 muaj pa paga dhe sigurime punonjësit dhe asnjë institucion shtetëror nuk interesohet apo t’i shkojë për kontroll?
Si ka mundësi që një person me precedentë penale për mashtrim dhe i arrestuar për evazion, drejton ende disa prej linjave kryesore të transportit urban në kryeqytet me gjithë problemet e vazhdueshme?
Kush i mbron dhe toleron bandat e rrugeçërve që dhunojnë dhe kërcënojnë stafet e autobusëve urban, por edhe qytetarët hera-herës?
Urojmë që autoritetet të reagojnë edhe në kuadër të transformimit të shërbimit urban në Kryeqytet…
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016