“Ne kemi nevojë për një Organizatë Botërore të Shëndetit të fortë për të përgatitur më mirë botën për pandemitë e reja nëse do të kemi në të ardhmen”, kështu është shprehur presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Von der Leyen ka deklaruar se Bashkimi Europian pritet që të prodhojë 3,5 miliardë doza të vaksinës kundër Covid deri në vitin 2022, shumica e të cilëve do të eksportohen në vendet e treta.
Gjithashtu në një komunikim për mediat pak para nisjes së Samitit G20 në Romë, ajo tha se në këtë takim do të diskutohen gjithashtu edhe çështje që kanë të bëjnë me pandeminë Covid, plane për përgatitje në rast të pandemive të reja, për rimëkëmbjen e ekonomisë globale, si edhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Sa i përket pandemisë Covid, Von der Layen tha se vendet e G20 pritet që të angazhohen për të arritur 70% të vaksinimit të popullsisë në botë, duke shtuar se ky është një plan ambicioz që do të mbështetet plotësisht.
Ndërsa në lidhje me ndryshimet klimatike ajo u shpreh se vendet e G20 përbëjnë 80% të emetimeve dhe kanë përgjegjësinë për të vepruar shpejt.
“Ne kemi nevojë për udhëheqje për angazhime të besueshme për të arritur objektivin emetimeve zero deri në vitin 2050 për të arritur qëllimin e reduktimit të ngrohjes globale”, ka thënë më tej presidentja e KE-së.
/Priza.al/