Shumë anije ruse të ankoruara në bazën detare të Sevastopolit, edhe pse janë jashtë rrezes të raketave, nuk përjashtohen sulmet ajrore.
Moska ka vendosur delfinë të stërvitur në bazën e saj detare në Detin e Zi, për të mbrojtur flotën e saj nga sulmet që mund të vijnë nga ana ujore, sipas një analize të fundit satelitore të publikuara nga “The Guardian”.
Sipas gazetës britanike, Instituti Detar i SHBA (USNI) që ekzaminoi imazhet satelitore të marra në bazën detare në portin e Sevastopolit, dy grup delfinësh janë vendosur aty prej shkurtit si “ushtarë”, që kur filloi “operacioni ushtarak rus” në Ukrainë.
Rusia ka një histori të trajnimit të delfinëve për qëllime ushtarake dhe përdorimit të gjitarëve të zgjuar për të tërhequr sende dhe për të dekurajuar zhytësit e armikut.
Baza detare e Sevastopolit është jashtëzakonisht e rëndësishme për ushtrinë ruse, pasi ndodhet në skajin jugor të Krimesë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014. Sipas analizës së USNI, shumë nga anijet ruse të ankoruara atje, megjithëse janë jashtë rrezes së raketa, janë potencialisht vulnerabël ndaj sulmeve nënujore.
Vlen të theksohet se Ukraina ka trajnuar më parë delfinët në një akuarium afër Sevastopolit, si pjesë e një programi që filloi në epokën sovjetike dhe u la mënjanë në vitet 1990.
Gjatë Luftës së Ftohtë, si Bashkimi Sovjetik ashtu edhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan teknika të trajnimit të delfinëve, duke u fokusuar shumë në aftësitë e tyre të ndjeshmërisë së zërit, të cilat u mundësojnë atyre të zbulojnë objekte të tilla si nëndetëset. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar të paktën 28 milionë dollarë për të mbajtur një “ushtri” delfinësh dhe luanësh detarë, të cilët gjithashtu mund të stërviten për t’u përdorur në konflikte.
Marina ukrainase u përpoq të ringjallte programin e Sevastopolit në vitin 2012, por gjitarët ranë në duart ruse pas pushtimit të Krimesë në 2014. Më pas Kievi kërkoi kthimin e delfinëve, por pa dobi dhe Ria Novosti raportoi në atë kohë se Moska po planifikonte të zgjeronte programin.
“Ekspertët tanë kanë zhvilluar pajisje të reja që konvertojnë zbulimin e zërit nënujor të objektivit të delfinit në sinjale që shfaqen në monitorin e operatorit. Marina e Ukrainës nuk kishte burimet e nevojshme për një teknologji të tillë dhe disa projekte “ngrin”, tha një burim në agjencinë ruse. Dy vjet më vonë, Marina Ruse njoftoi planet për të blerë pesë delfinë të tjerë, duke filluar një proces tenderimi për një kontratë 1.75 milion rubla që do të përfshinte dorëzimin e delfinëve në Sevastopol deri në fund të verës. Është e paqartë nëse delfinët që janë sot në Sevastopol janë të njëjtë me ata që janë blerë nga marina ruse sipas kontratës.
Imazhet satelitore nga viti 2018 kishin zbuluar se Rusia kishte përdorur gjithashtu delfinët në bazën e saj detare në Tartu gjatë luftës në Siri.