Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e armatosura të Ukrainës kanë avancuar kundër forcave ruse dhe kanë çliruar disa qyteza e rajone tjera.
Ai nuk ka dhënë hollësi shtesë në adresimin e tij ditor para popullit.
Mirëpo zyrtarët ukrainas dhe lideri i instaluar nga Rusia, kanë thënë se forcat e Kievit kanë avancuar në jug, duke rikthyer kontrollin e disa fshatrave përgjatë Lumit Dnjepër.
Komanda ushtarake ukrainase, e koncentruar në jug të shtetit, ka thënë se forcat e saj kanë shkatërruar 31 tanke ruse, një lansuese raketash, por nuk ka treguar se ku kanë ndodhur luftimet.
Një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane ka thënë më 3 tetor se sulmet e forcave ukrainase kanë shtyrë Rusinë “në pozicion mbrojtës” në Herson dhe se janë penguar përpjekjet ruse për rifurnizim të trupave në front të luftës.
Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar këto pretendime.
“Qendra të reja të populluara janë çliruar në disa rajone. Luftimet e ashpra kanë vazhduar në shumë zona”, ka thënë Zelensky.
Ai ka shtuar se “më shumë pushtues janë duke ikur, më shumë humbje janë duke përjetuar dhe po rritet besimi që Rusia ka bërë gabim kur ka nisur luftën kundër Ukrainës”.
Një ditë më parë, Zelensky ka thënë se ushtria ukrainase ka kontroll të plotë mbi qytetin strategjik të Limanit, që gjendet në rajonin Donjeck.
Rënia e Limanit kanë qenë një tjetër zmbrapsje për presidentin rus, Vladimir Putin pak ditë pasi ai ka aneksuar katër rajone ukrainase, të cilat i ka pushtuar ushtria ruse prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.
Kievi dhe Perëndimi i kanë konsideruar deklaratat e aneksimit si ilegale dhe të rreme.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL