Nëna shqiptare e Grineo Daka deklaroi se ajo është “një trup i gjallë me një mendje të vdekur”. Djali saj u vra në një klub të Londrës, dy vite më parë , dhe ajo ka treguar momentin kur mori vesh lajmin e trishtë. Grineo Daka, 27 vjeç me profesion berber në Stratford u vra në orët e para të 7 korrikut të vitit 2019. Në lidhje me këtë ngjarje Jeton Krasniqi, gjithashtu 27 vjeç, u dënua me 31 vite e gjysëm burg.
Prindërit e viktimës, Enima dhe George Daka, thanë se nuk asnjë dënim që mund të shërojë zemrat e tyre pasi humbën djalin. Nëna e Grineos deklaroi se “fajësoi veten” kur u informua nga oficerët për vdekjen e djalit, për faktin se nuk e kishte “dëgjuar zërin e tij një natë më parë”. Ajo tregoi vështirësitë që kishin kaluar në jetë duke ardhur në Angli me djalin e tyre ku ai ishte vetëm 9-vjeç, për t’i dhuruar atij një jetë dhe mundësi më të mira.
“Jam një trup i gjallë me një mendje të vdekur. Kemi ardhur në Angli në vitin 2001 me djalin tonë nëntë vjeç, në mënyrë që t’i japim atij një jetë më të mirë dhe mundësi më të mira. Ne nuk kishim asgjë dhe nuk dinim asnjë fjalë anglisht, por dinim të punonim shumë për të përmirësuar të ardhmen e tij. Ne kemi punuar dy ose tre punë.
Asnjëherë nuk kam ndalur së punuari sepse doja t’i jepja gjithçka. Ai ishte gëzimi ynë i vetëm dhe na hoqi të gjitha vuajtjet dhe shqetësimet. Atij i pëlqente muzika dhe të ndihmonte miqtë e tij. Dëshira e tij kryesore ishte të na shihte të lumtur. Ai më tha se do të kujdesej për ne dhe do të na donte dhe do të bënte gjithçka për ne” u shpreh ajo.
Grineo kishte qenë në Klub pak para mesnatës një natë para se të vritej. Ai dhe disa nga miqtë e tij u përfshinë në një sherr me shishe. Të nesërmen ai dhe miqtë e tij shkuan sërish në të njëjtin lokal. Grineo mori fillimisht një telefonatë dhe më pas u takua me Krasniqin dhe tre persona të tjerë. Pas sherrit, të shtënat u regjistruan rreth orës 03:00 të mëngjesit . Një nga plumbat e kapi Grineon në shpinë. Ai ndërroi jetë 30 minuta më vonë.
Askush nuk mund të na përgatiste për atë ditë. Një grup shqiptarësh ia mori jetën djalit tonë. Askush nuk na përgatiti për këtë tragjedi. Ata ishin këtu për të njëjtën arsye si ne, për një jetë më të mirë. Shkaktuan dhimbje të tmerrshme për dy prindër. Ia morën jetën dhe nuk mundën që të përballeshin me të pasi e qëlluan nga kurrizi. Nuk do të ketë asnjë dënim që do të na e lehtësojë dhimbjen. Edhe nëse dënohen me 100 vite burg, kjo nuk e sjell djalin tonë mbrapsht. I vetmi gëzim që kemi është vizita te varri. Ai tha se nuk do na linte vetëm, madje edhe kur të niste një familje do të jetonim bashkë. Fajësoj veten se nuk ia dëgjova zërin një natë më parë. Nuk e pashë djalin derisa e varrosa. Pendohem që nuk ia pashë fytyrën për herë të fundit. Nuk ka asnjë mjekim që ta lehtëson këtë dhimbje. Kisha shumë ëndrra për djalin, por na i morën. Jam një trup që jetoj, por me mendjen bosh. E shikoj në ëndrra dhe e përqafoj. Humbëm një pjesë të zemrës që nuk do të zëvendësohet kurrë”, tha ajo.
Në lidhje me këtë ngjarje është dënuar edhe Edison Brahimi, 31 vjeç, me 28 muaj burg për pengim të drejtësisë pasi largoi Krasniqin nga vendi i ngjarjes. Me akuzën e vrasjes ishte akuzuar edhe Lindon Saliuka, por ai vdiq përpara se të niste gjyqi. Një person i katër është shpallur në kërkim ndërkohë që autoritetet po punojnë për kapjen e tij.
/Burimi MyLondon/ përshtati në shqip Priza.al/