Djali i ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Erzen Breçanit, i cili vetëm pak javë më parë shkaktoi një aksident tragjik në Tiranë, duke i këputur këmbën një vajze të re, rrezikohet seriozisht.
Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës ndryshimin e masës nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest me burg” për Jehon Breçanin, të riun që përplasi 23-vjeçaren më 10 qershor në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Mjekët u detyruan që t’i prisnin njërën këmbë të resë pas dëmtimeve që mori. 19-vjeçari, po drejtonte makinën luksoze tip “Benz S Class”. Ai hipi në trotuar u përplas me një pemë dhe përplasi këmbësoren.
ARGUMENTET E PROKURORISË:
“Referuar kërkesës së Prokurorisë, rezulton se nga faktet e mbledhura prej saj, dëmtimet e shkaktuara ndaj viktimës që në momentin e parë të ngjarjes kanë qenë tepër të rënda, çka ka bërë të detyrueshëm dërgimin e saj në Spitalin e Traumës, ndërkohë që, është konstatuar po ashtu se si pasojë e përplasjes së fortë, e reja e aksidentuar ka humbur njërën nga gjymtyrët e poshtëm, duke i shkaktuar gjymtin të përhershëm në masën 1/3-n e aftësisë së përgjithshme.
Sipas Prokurorisë, referuar rrethanave të ngjarjes, drejtuesi i mjetit nuk ka qenë duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, referuar të gjitha fakteve të mbledhura në vendin e ngjarjes, kjo vepër penale për të cilën akuzohet 19-vjeçari konsiderohet e një rrezikshmërie të lartë, dhe dispozitat përkatëse ligjore përcaktojnë burgimin nga 1 deri në 5 vjet.
Ndaj, referuar të gjitha këtyre fakteve dhe argumenteve, Prokuroria ka kërkuar vendosjen e masës ‘arrest me burg’ për Jehon Breçanin”.
/Priza.al/