Vaksinimi i popullsisë/ Nga shitja e “kartonit” te milionat për publicitet! Ministrja nuk zbaton urdhrat e qeverisë së vet

Nga: Dea Dervishi

Vaksinimi kundër COVID-19 me këto ritme do të arrijë të mbulojë 70% të popullatës në vitin 2025. Këto të dhëna i ka përllogaritur Reuters.

Një tjetër shqetësim i ngritur është fakti se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prej disa javësh, në buletinin e përditshëm nuk ka të deklaruar se sa persona janë vaksinuar, duke mos bërë transparencë me këtë indikator.

Buletini datë 31 maj 2022
Buletini datë 31 maj 2022

Edhe pse disa kohë më parë, qeveria premtoi se deri fund të shkurtit do të vaksinoheshin 2.2 milionë individë, kjo shifër ka mbetur një “ëndërr”.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, ka deklaruar se janë vaksinuar vetëm 60% e popullatës.

“Aktualisht që flasim, kemi vaksinuar 60% të popullsisë. Kemi aplikuar 83% të vaksinave të mbërritura, pra është një arritje”, tha Bino.

Një arritje, por shumë – shumë larg pritshmërisë që ishte paracaktuar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka arritur të mbajë premtimin për sa i takon vaksinimit të popullatës për  COVID-19.

Nga ana tjetër, ekspertët janë edhe më skeptikë sa i takon  mbulimit vaksinal, sipas tyre vendi nuk është vaksinuar ende në shifrat që deklarohen nga institucionet.

Priza.al ka arritur të nxjerrë në pah një tjetër skemë, blerjen e  kartonit të vaksinave. Një e moshuar   ka deklaruar, në anonimat, se e ka blerë vaksinën e bashkëshortit për 5.000 lekë, edhe pse ai nuk e ka bërë vaksinën.

Burri kishte merak ta bënte vaksinën AstraZeneca, por na duhej patjetër, nëpërmjet “një miku”  arritëm që vaksinën mos ta bënim, por në sistem të rezultonim se ishim në rregull me shtetin, kështu e bëmë”, tha e moshuara, për Priza.al

Sakaq, edhe pse miliona lekë u hodhën për nxitjen e vaksinimit në fushata të tëra në media sociale, nëpërmjet sloganit “Shqipëria buzëqesh”, duket se nuk e arritën pritshmërinë.

Por si arrin Ministria që të kalkulojë shifrat e vaksinimit?

Në fillim të janarit, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi së 80% e administratës publike në vend është vaksinuar. Por nga një vëzhgim i formularit tip, që plotësojnë individët para vaksinimit, nuk kërkohet deklarimi i sektorit ku janë punësuar, por vetëm profesioni.

Screenshot i formularit të vaksinimit
Screenshot i formularit të vaksinimit

Sipas vendimit të Ministres Manastirliu, punonjësit e administratës publike, të qendrave tregtare dhe të supermarketeve, duke nisur nga data 4 janar 2022, do të duhej të dorëzonin në vendin e punës certifikatën e vaksinimit ose testin PCR, çdo 5 ditë në rast mosvaksinimi.

Në 7 janar 2021, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi, nga qendra e vaksinimit “Air Albania”, se 80% e administratës publike në vend rezultojnë të vaksinuar ndaj COVID-19.

“Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, në kuadër edhe të vendimit të Komitetit, që, në datë 4, të gjithë punonjësit e administratës publike, të shërbimeve duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit, kartën e shërimit apo testin, ka bërë një verifikim në më shumë se 500 institucione shtetërore dhe  deri më tani rreth 80% e punonjësve rezultojnë të vaksinuar […] Ndërkohë që, gjithashtu, edhe në supermarkete apo në qendra tregtare ka vijuar inspektimi nga strukturat tona të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe rezultojnë rreth 70% deri më sot, me këto inspektime të kryera, dhe janë rreth 120 struktura supermarketesh apo qendrash tregtare dhe struktura shërbimesh në tërësi, që janë inspektuar në këto ditë pas daljes së vendimit” – deklaroi Manastirliu.

Në formularin e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mungon përcaktimi i sektorit publik ose privat, ku punon personi që vaksinohet, ndonëse kërkohet profesioni.

Nisur nga ky informacion, institucionet nuk mund të jenë në dijeni se sa është numri i të vaksinuarve të punësuar në administratën publike apo subjektet private, siç përcaktohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./Priza.al

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *