Teksa situata post zgjedhore vijon të mbetet e turbulluar në kampet politike, deklaratat e kryetarëve të partive të mëdha, po ngrenë në kembë, të madh e të vogël. Kjo jo se ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme që nuk pritej, por se tashmë po vërtetohen tezat e hedhura në opinionin publik të demokratëve të zhgënjyer, se ka një marrëveshje mes Ramës e Bashës, për të cilën asnjë nuk di të thotë asgjë.
Për aq kohë sa askush nga radhët e demokratëve, nuk orientohet tek parimet, por tek fatet e emrave të kryetarëve, pazaret politike do të jenë në modë dhe të kapitalizuara në interes të marrëveshjeve okulte politike. Deri këtu të gjithë e kuptojnë, por pak kanë guximin ta pranojnë e refuzojnë.
Vijoj ti qëndroj optikës se para së gjithash dhe mbi të gjitha, kushdo që ka përgjegjësinë e menaxhimit të interesave publike e kombëtare, duhet të priret nga parimet, jo nga “biznesi i të bërit politikë”.
Kjo e fundit konstatohet se është “trendy” në tregun politik në Shqipëri, duke u rënduar principeve demokratizuese. Ndryshe analistët me të drejtë e kanë cilësuar “qepallim” ku njëra palë ia lyp tjetrës pushtetin, ndërsa vjedhin të dyja.
Po ti kthehemi vitit të hidhur politik 2017, muajit Maj, do të kujtojmë se nga një qepallim i tillë për interesa meskine personale, derivoi një marrëveshje okulte që përgjysmoi asetet intelektuale të Partisë Demokratike, duke flakur potenciale të investuara prej vitesh në këtë parti. Kjo gjë shkaktoi hemoragjinë e votave të cilat shënuan rezultatin më të dobët në historikun e pluralizmit për Partinë Demokratike.
Hemoragjia e aseteve intelektuale që rrodhën nga PD, si rezultat i marrëveshjes politike “Basha –Rama”, shkaktuan jo vetëm një humbje ligjëruese, për forcën opozitare atë vit, por edhe në këto zgjedhje përcaktuan një rezultat katastrofë për PD.
Asokohe bashkëqeverisja për pak muaj PS- PD, solli shkatërrimin e gravitetit opozitar, që vijon ende rënien. Fuqia e opozitarizmit është zvogëluar edhe sot pas 4 vitesh marrëveshje.
A mos vallë ishte kjo marrëveshja që i hapi rrugën mandatit të tretë të PS-së?
A mos vallë Rama kërkon në bashkëqeverisje Bashën për një shpërblim të tillë, mirëfilli?
Deklaratat publike të kryeministrit më të fuqishëm të pluralizmit politik shqiptar, janë të qarta: “Ne njohim vetëm një opozitë, atë të Partisë Demokratike”.
Bashkëpunimi mbi marrëveshjen 2017, duhet ti ketë dhënë frutet e veta.
Gjasat janë që nesër teksa Oliver Varhelyi vjen për një takim “kokë më kokë” me Bashën, këtij të fundit tia mbush mendjen se për të mirën e vendit duhet një “qepallim tjetër” në Shtator. Por sa dhe si mund të ndikojë, nëse do të konkretizohet një plan i tillë, mbi strukturën e partisë 30 vjeçare që simbolizon rënien e komunizmit, kjo mbetet për tu parë.
Ajo që ndjehet dhe obligohet është një riformatim i të djathtës e cila sot është në udhëkryq.