Vetëm pak momente na ndajnë nga protesta e thirrur nga ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, ndërsa kreu i PD ka mbërritur në selinë blu duke u drejtuar në zyrën e tij ku ka planifikuar një ditë normale pune me mbledhje dhe takime.
Pasi është përshendetur me gazetarët, lideri demokrat nuk i ka kursyer batutat, duke shtuar se këngën e Osman Takës do e kërcejnë më vonë.
“Mirëmëngjesi, qenkeni zgjuar herët shumë. Bravo të qoftë. Ndryshe nga vallja e Osman Takës. Do e kërcejmë më vone atë, pa merak”, tha Basha.
Nga ana tjetër në parkingun e selisë blu kanë nisur të afrohen një numër i madh automjetesh të cilat janë parkuar njëra pas tjetrës duke zënë pjesë më të madhe të hapësirës.
Kjo duket të jetë një strategji e Bashës për të penguar grumbullimet e protestuesve para selisë blu.
Ai ka thirrur sot në takim kryetarët e degëve në orën 11:00 në lidhje me kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor.
/Priza.al/