Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se personat e infektuar nuk kanë bërë asnjë dozë të vaksinës, e kjo shihet si shkaku kryesor i shtimit të numrit të rasteve. Megjithatë, ajo theksoi se situata në vend aktualisht është e qëndrueshme.
“Siç u bë i qartë, u vu re që ka një numër në rritje të rasteve. Shtrimi në spital mbetet në nivele të qëndrueshme, ajo çka është më e rëndësishme është që numri i rasteve të shtruara të sëmurëve rëndë, janë persona që s’janë vaksinuar. Rastet po rriten në komunitetin që mbeten të pavaksinuar.
Duke u mbështetur në këtë situatë, KT mendon që edhe pse në Shqipëri është vërtetuar prezenca e variantit Delta mbrojtja është njësoj dhe niveli i masave nuk ndryshojnë. Masat do të jenë po të njëjta”, tha Rakacolli.
Varianti Delta i COVID është shtrirë në 10 qytete. Lajmin e dha drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico.
“Numri i bashkive ka shkuar në 10 ndërkohë që në raport femra meshkuj, 52 me 48 dhe në shërbimin e sëmundjeve infektive janë të shtruar 9 pacientë. Rreth 500 mijë të vaksinuar me dozën e dytë. Varianti Delta në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Gjirokastra, Korçë, Peqini, Mati dhe Vlora”, njofton Fico.
Ndërsa mjeku Dhimitër Kraja bëri me dije se në spitalin COVID1 janë të shtruar 9 pacientë, por theksoi se gjendja e tyre shëndetësore është e kënaqshme.
Sipas mjekut, përjashtuar një pacient, i cili kishte marrë vetëm një dozë të vaksinës kundër COVID, të tjerët rezultojnë të pavaksinuar, ndërsa i përkasin grupmoshës nga 69 deri në 72 vjeç.
“Në spitalin COIVID 1 janë 9 pacientë. Gjendja e tyre e përgjithshme është e kënaqshme. Nuk janë pacientë që janë vaksinuar më parë apo që kanë kaluar sëmundjen, me përjashtim të një rasti, i cili ka bërë vetëm një dozë të vaksinës dhe nuk e ka bërë të dytën. Mosha e të sëmurëve vijojnë të jetë mbi 69 deri në 72-vjeç. Situata është e mirë, nuk kemi patur raste shumë të rënda, apo vdekje dhe pavarësisht se rritjes së rasteve, kjo nuk reflektohet me forma të rënda apo vdekjeprurëse”, tha mjeku.
/Priza.al/