Varianti Omicron i koronavirusit ka të ngjarë të vazhdojë të përhapet dhe paraqet një rrezik “shumë të lartë” global, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila paralajmëroi të hënën se shtimi i infeksioneve Covid të shkaktuara nga varianti shqetësues mund të kenë “pasoja të rënda” për disa zona.
“Duke pasur parasysh mutacionet, të cilat mund të sjellin shmangien nga imuniteti dhe ndoshta një avantazh në transmetueshmëri, gjasat e përhapjes së mëtejshme të Omicron në nivel global janë të larta”, tha OBSH të hënën në vlerësimin e saj të riskut në një përmbledhje teknike për 194 shtetet e saj anëtare.
“Duke u bazuar te këto karakteristika, mund të ketë rritje të ardhshme të infeksioneve me Covid-19, të cilat mund të kenë pasoja të rënda në varësi të një sërë faktorësh, duke përfshirë vendin ku mund të ndodhi ky shtim infeksionesh. Rreziku i përgjithshëm global në lidhje me variantin shqetësues, Omicron, vlerësohet si shumë i lartë,” tha agjencia shëndetësore e OKB-së.
OBSH e përcaktoi variantin B.1.1.529, i cili u vu re për herë të parë në Afrikën e Jugut, si një “variant shqetësues” të premten.
Ajo tha në raportin e saj të hënën se ky është “një variant shumë i ndryshëm, me një numër të lartë mutacionesh … disa prej të cilave janë shqetësuese dhe mund të lidhen me potencialin e shmangies nga imuniteti dhe me transmetueshmëri më të lartë”.
Të panjohurat e ditura
Megjithatë, ka ende një numër të konsiderueshëm paqartësish dhe të panjohurash në lidhje me këtë variant, tha OBSH, duke e përsëritur këtë pikëpamje edhe të hënën.
E para, ekspertët nuk e dinë ende se sa i transmetueshëm është varianti dhe nëse ndonjë prej rritjeve të infeksioneve lidhet me shmangien nga imuniteti, shtimin natyral të transmetueshmërisë apo të dyja bashkë.
Së dyti, ka pasiguri në lidhje me faktin se sa mirë mbrojnë vaksinat ndaj infeksionit, ndaj transmetimit dhe sëmundjeve klinike me shkallë të ndryshme ashpërsie, si dhe ndaj vdekjes. Dhe së treti, ka pasiguri nëse ky variant mund të jetë më i rëndë se të tjerat.
OBSH ka thënë se do të duhen disa javë për të kuptuar se si varianti mund të ndikojë në diagnostikimin, terapinë dhe vaksinat. Megjithatë, provat paraprake sugjerojnë se ky variant ka një rrezikshmëri më të lartë të riinfektimit.
Të dhënat e hershme sugjerojnë se varianti po përhapet në Afrikën e Jugut më shpejt se llojet e mëparshme dhe se ai mund të fillojë të shkaktojë një valë të re infeksionesh, sipas një analize nga Financial Times.
Simptomat e Covid-it të lidhura me Omicron janë përshkruar si “shumë të lehta” nga mjeku afrikano-jugor që ngriti i pari alarmin për llojin e ri.
Është shumë e rëndësishme të mbahet parasysh se, deri më tani, ka pasur vetëm një numër të vogël rastesh të raportuara në mbarë botën – në disa vende të Afrikës jugore dhe një numër i papërfillshëm rastesh në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Izrael, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Itali, Australi, Kanada dhe Hong Kong, por asnjë ende në SHBA – kështu që mund të duhet pak kohë për të kuptuar plotësisht se cilat simptoma specifike, nëse ekzistojnë, i atribuohen variantit Omicron në një shkallë më të gjerë.
Është gjithashtu shumë herët për të thënë se çfarë shkalle rrezikshmërie për shëndetin paraqet varianti i ri në nivel global; komuniteti ndërkombëtar ka parë tashmë disa lloje gjithnjë e më virulente të koronavirusit, fillimisht me variantin “alfa” dhe më pas variantin “delta”, i cili aktualisht është varianti dominant në mbarë globin.
Vaksinat kundër Covid-it kanë ndihmuar shumë në reduktimin e infeksioneve të rënda, të shtrimeve në spitale dhe të numrit të vdekjeve, kështu që variantet e reja monitorohen nga afër për të vlerësuar nëse mund të ndikojnë në efikasitetin e vaksinave dhe në cilën mënyrë mund ta bëjnë këtë.
Planet e parandalimit
OBSH u kërkoi shteteve anëtare të shtojnë përpjekjet e mbikëqyrjes dhe të ndjekjes së rasteve, për të kuptuar më mirë variantet e reja, përfshirë Omicron, si dhe për të rritur testimin në komunitet për të zbuluar nëse Omicron është duke qarkulluar.
Ajo u bëri gjithashtu thirrje shteteve anëtare që të rrisin vaksinimet kundër Covid “sa më shpejt të jetë e mundur”, veçanërisht midis grupeve me prioritet të lartë.
Lajmi për variantin e ri tronditi tregjet globale të premten, por stoqet europiane u rritën të hënën në mëngjes. Rajoni tashmë është duke u përballur me një rritje të madhe të infeksioneve të shkaktuara nga varianti Delta, gjё e cila po ushtron presion mbi shërbimet shëndetësore në disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën.
OBSH u kërkoi vendeve të vendosin masa parandaluese për t’u përgatitur për një rritje të mundshme të rasteve me Covid dhe për “presionin e lidhur me sistemin shëndetësor, të sigurojnë që planet parandaluese të jenë në fuqi për të ruajtur shërbimet thelbësore shëndetësore dhe të sigurohen që burimet e nevojshme të kujdesit shëndetësor janë gati për t’iu përgjigjur rritjes së mundshme të rasteve.”
/Burimi: MONITOR/