Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetase duke qëlluar me armë, në ajër, policia e Shkodrës bën me dije se:
Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, specialistët për Hetimin e Krimit të DVP Shkodër kanë kryer verifikimet, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Nga verifikimet, është identifikuar shtetasja A. K. e cila ka qëlluar në ajër, me armë imituese të zhurmës së armës së zjarrit.
Për këtë rast u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. K., 27 vjeçe, banuese në Vaun e Dejës, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma imituese e zhurmës së armës së zjarrit.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon median dhe qytetarët për rastet e denoncuara, si dhe i fton që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre.