Teknologjia e vjetruar e rafinerisë së Ballshit dhe e shumë zonave naftë-nxjerrëse në varësi të kompanisë “Albpetrol”, prej vitesh e kanë kthyer në pjesë të qarkut të Fierit në një prej zonave më kancerogjene.
Përroi i Zharrëzës por më pas edhe lumi i Gjanicës që kalon mes për mes Fierit, shfaqen tërësisht të ndotur nga mbetje hidrokarbure.
Kjo ndotje është kthyer në një shqetësim për banorët, pasi përroi kalon në disa zona të banuara si në Zharrëz, Katund i Ri, Frashër, Sheqishtë, në një kohë që lumi i Gjanicës që mbushet plot gjithashtu, përshkon mes për mes qytetin e Fierit.
Derdhjet më të mëdha janë bërë mbrëmjen e së martës, ku banorë të zonave rreth këtyre përrenjve dhe lumenjve, kanë hasur në vështirësi të frymëmarrjes si pasojë e mbushjes së ajrit me erë të rëndë dhe me avuj të hidrokarbureve.
Kjo ndotje vjen nga vend grumbullimi i naftës që i përket kompanisë “Albpetrol”. Banorët thonë se si pasojë e ndotjes hidrokarbure, shumë banorë të Zharrëzës janë të sëmurë me sëmundje në gjak dhe mushkëri.
Ndotja pushtoi edhe Fierin
Ndotja me mbetjet hidrokarbure bëhen akoma më shqetësuese, pasi derdhen te “vija e ngjalës” e më pas në lumin Gjanicë në Fier, i cili mbrëmjen e së martës ishte i ndotur dhe kundërmonte.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Priza.al” nga bashkëpunëtorët tanë në Fier, “shkak për këtë veprim është kompania ‘Albpetrol’ e cila ka shpëlarë depozitat e dekantimit të naftës bruto, me qëllim të vendosjes në to të prodhimit të ri.
Kjo gjë ka bërë që tonelata me ujë me solucione kimike dhe naftë bruto e shpëlarë nga depozitat të derdhen në përrenjtë e zonave përrreth. Kompania ‘Albpetrol’ derdh në mënyrë të përsëritur në përroin e Zharrëzës gjithë solucionin e shpëlarjes së depozitave të dekantimit të naftës”.
Por nga sa mësohet, prej 2 ditësh ndotja ka arritur kulmin duke u bërë edhe më e ndjeshme edhe prej temperaturave të larta të këtyre ditëve të fundit.
Situata për banorët është bërë e padurueshme. Tokat e tyre, uji, por dhe ajri ndoten nga derdhjet e naftës dhe shëndeti i tyre është i rrezikuar.
Ankesat e banorëve
Banorët e Zharrëzës thonë se, janë ankuar disa herë, por bashkia e Fierit nuk ka reaguar. Ndotja nuk mbetet vetëm në Zharrëz. Përroi çon mbetjet e naftës së kompanisë “Albpetrol” edhe në Fier nëpërmjet Gjanicës, e më pas përmes Semanit në det.
Aroma e rëndë mbytëse që Gjanica ka pasur këto ditë të nxehta qershori po shqetëson prej kohësh banorët. “Ne jemi të sëmurë, por këta po na vdesin fare”,- tha një i moshuar që kishte vendosur të ulej pasditen e djeshme në stolat e parkut në krah të Gjanicës në Fier.
Por si për ironi, Fieri ka edhe një Inspektorat Mjedisor në varësi të bashkisë por edhe Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit. Por inspektorët e këtij të fundit që shëllëren në zyrat me kondicionerë, pretendojnë se “nuk kanë arritur që ta gjejnë shkakun e ndotjes së lumit”.
Por për qytetarët gjurma e këtij krimi mjedisor tregon qartë autorin e saj. “Këta e kanë të gjetur atë, por shejtani kur hyn në familje nuk e nxjerr dot”,- tha një tjetër i moshuar.
Gjatë vitit 2020 e në vazhdim Inspektorati i Mjedisit në Fier nuk ka kryer asnjë kontroll, asnjë inspektim dhe asnjë matje në terren, megjithëse derdhjet e hidrokarbureve në Gjanicë janë të dukshme edhe me sy të lirë.
/Priza.al/