Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sërish kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla se ka porositur vrasje dhe se duhet të shkojë në Prokurori.
Gjatë fjalës së tij në protestë, Berisha tha se vendi i tij është në burg si trafikant dhe porositës vrasjeje.
Më tej ai shtoi se kjo është qeveri e kriminelëve dhe e vrasësve, teksa theksoi se aty fshihen edhe ata që vranë vajzën keniane, duke iu referuar 22-vjeçares Joy, e cila humbi jetën pasi u dhunua barbarisht.
“Edi Rama, i verbuar nga pushteti shkon deri aty sa blen vazo druri për 4 milionë euro, ç’ka nuk e bën kush në Europë përveç sulltanëve në Arabi. Zoti Meta foli këtu për rroga dhe pensione. Në vitin 2013, shqiptarët kishin rrogat dhe pensionet më të mëdha në rajon. Sot janë 40 deri 50 përqind më të ulëta në Kosovë. A e dini ju se këta janë një bandë që strehojnë vrasës? Ku fshihen vrasësit e kenianes? Në qeveri, në qeveri, në qeveri.
Shikojeni pak atë kriminelin Taulant Balla, e kam denoncuar dhe e denoncoj sërish, vendi i tij është në burg si trafikant femrash. Prandaj ata fshehin Xhoin. Ai është denoncuar nga diplomatët shqiptarë se ka nxjerrë viza për prostituta moldave që t’i sillte në Shqipëri. Fatos Nano, në vend që ta çonte në prokurori, e bëri këshilltar. Ai është denoncuar nga delinkuentë se ka porositur vrasje. Ky është eksponenti parlamentar kryesor i mazhorancës”, tha Berisha.