Përfaqësues të ambasadës ruse në Tiranë kanë mbërritur këtë pasdite te Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe kanë kërkuar informacion të detajuar për vrasjen e 4 turistëve në një hotel në Qerret të Kavajës.
Pasi vdekja e tyre u klasifikua si vrasje, mësohet se shkak është bërë asfiksia edhe pse nuk dihet akoma se nga ka ardhur. Janë disa pista hetimi deri më tani mbi tragjedinë e katërfishtë, ku së pari është përdorimi i tepruar i klorit në pishinën ku u gjetën viktimat, por edhe mosventilimi i mjaftueshëm i ambientit, ndërsa nuk përjashtohet edhe helmimi.
Dosja e ngjarjes po shihet me shumë kujdes nga ekspertët, për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë gjetur vdekjen të katër turistët, çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.
Nga ana e tyre, ekspertët e Mjekësisë Ligjore janë shprehur se kanë pasur viktima nga klori edhe më herët, por jo katër raste njëherësh. Për këtë arsye, Prokuroria e ka regjistruar ngjarjen si vrasje e mundshme, por pa pasur një autor.
/Priza.al/