Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit ka shprehur shqetësimin për ngjarjen tragjike të ndodhur pak ditë më parë në Komisariatin e Kavajës.
I riu i cili u arrestua për vjedhjen e një dere varin vete në ambientet e komisariatit.
Duma rrëfeu një moment të trishtë nga morti i Ilvin Metës, ku tha se ndryshe nga ceremonitë e tjera mortore, mungonte vajtimi.
“I ftoj kolegët e mazhorancës dhe të opozitës ti hedhin një sy këtyre fotove. Janë dy foto me një lidhëse këpucësh që duken më shumë se kapuçi. Një sy normal nuk ka nevojë për ekspertizë që duket se zor se mund të ndodhë kjo. Kemi qenë dhe do qëndrojmë gjithmonë përkrah hetimit. Unë kam shkuar atë natë në familjen e djalit të vdekur dhe kam parë një kob më të madh se sa vdekja. Kur shkojmë në atë moment është një vaj sidomos i nënës dhe i grave. Aty kishte pllakosur heshtja.
Trauma ishte më e madhe se sa morti. Tek ajo familje përveç se ishte vuajtja e njerëzve, për një çast bëra pyetje të atit për çfarë akuzohej djali dhe më tha për vjedhjen e një dere alumini, krime ordinere. Ai më tha se e kanë akuzuar edhe për diçka që nuk e ka kryer e teksa ishte tek e motra në Greqi. Ai është paragjykuar se do të ishte gjithmonë fajtori në këtë shoqëri dhe e kapnin e rrihnin. Ai më thoshte se nuk e beson kurrë që ka vrarë veten. Një racizëm paragjykimi ekziston në këtë vend edhe nëse gabon vetëm një herë të vetme. Mundësia për tu ringritur e për të mos u paragjykuar është shumë i vogël. Në këtë vend nuk ka asnjë institucion që mund të shtrijë dorën nëse të rrëshqit këmba në rini dhe kështu pasojat mund të jenë fatale,” u shpreh Duma në Kuvend.