Vdekja e Kacifas në Bularat në 2018, Gjykata dhe Prokuroria vendosin: Ekstremisti grek është vetëvrarë!

Çështja e vdekjes së ekstremistit grek Kostandinos Kaçifas në fshatin Bularat, është pushuar zyrtarisht nga Gjykata e Gjirokastrës. Vendimi është marrë në 13 dhjetor, nga gjyqtarja Suela Dashi, e cila vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Julian Çafka. Sipas gazetarit Elton Qyno, ekstremisti grek është vetëvrarë në ngjarjen e 28 tetorit 2018. Po ashtu, në seancën e zhvilluar pak ditë më parë në Gjirokastër, në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm vetëm Jani Kacifas, babai I të ndjerit.

Çështja u dorëzua që në maj të këtij vitit në Gjykatë me përfundimin se Kaçifas ishte vetëvrarë, por dosja u rikthye tek prokurori për të vazhduar hetimet.

Megjithatë ekspertiza e mjekëve ligjorë shqiptarë, ka arritur në përfundimin se dy plagët në trupin e viktimës janë kryer me puthitje dhe kanë faktorë plotësues, çka flet për vetëvrasje.

Ekspertiza mjeko-ligjore me Nr.597/1 e kryer për këtë çështje, ka dalë në përfundimin se asnjë armë e forcave RENEA nuk ka qëlluar mbi Kostandin Kacifasin.Konkluzioni i ekspertit thotë se viktima ka dy plagë në gjoks të kryera me puthitje nga armë zjarri, me drejtim tejshkues nga para mbrapa. Në pjesën e hyrjes, evidentohen faktorët plotësuese të barutit dhe djegies së lëkurës. …plaga me puqitje të plotë është shkaktuar e para dhe është ajo që ka shkaktuar vdekjen, ndërsa plaga tjetër është shkaktuar e dyta,”-thuhet në dosje.

Duke përjashtuar kështu edhe versionin zyrtar që u dha nga forcat speciale të RENEA-ve, që morën përsipër dhe përgjegjësite e eliminimit të tij. E gjitha me pretendimin se kishte rrezik për shoqërinë.

Ndërkohë që ekspertiza pretendon diçka, e zyrtarisht Policia e Shtetit diçka tjetër, ngërçi dhe paqartësia mes institucioneve ka sjellë edhe konfuzion sidomos tek familjarët e të ndjerit. Si mundet një person të qëllojë disa herë veten e tij ndërkohë që është i plagosur? Deri më tani është premtuar nga familjarët se çështja do të dërgohet edhe në Gjykatën e Strasburgut, pasi pretendojnë se i riu është vrarë.

Në lidhje me personazhin Kostandino Kacifas, me origjinë minoritare greke, tre vjet më parë ai qëlloi me breshëri kallashnikovi dhe terrorizoi një pjesë të banorëve në fshatin Bularat në Gjirokastër.

Kujtojmë se Kacifas ndërroi jetë më 28 tetor 2018, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA. 35-vjeçari ishte pjesë e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore, ndërsa  ditën e festës kombëtare greke, që përkujton fillimin e luftës me Italinë ai qëlloi me kallashnikov ndaj një patrulle policie që ndodhej në fshat duke rrezikuar jetën efektivëve, që fatmirësisht shpëtuan.

Pas lokalizimit nga policia në Bularat, Kacifas nuk iu bind urdhrit për të hedhur armën, për t’u dorëzuar duke refuzuar, madje duke qëlluar me armë në drejtim të bluve. Ai hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë në breshëri për më shumë se 30 minuta.

Vdekja e tij solli jo pak tensione me Greqinë, ndërsa familjarët e 35-vjeçarit kanë ngritur një sërë pretendimesh për këtë çështje.

Më pas ai qëlloi ndaj efektivëve të RENEA-s, të cilët e rrethuan në një kodrinë deri sa e neutralizuan, në afërsi të fshatit. Ngjarja ka ndodhur në ditën e festës kombëtare të Greqisë. (Vetë)vrasja e Kacifas ngjalli tension midis dy shteteve fqinje, Shqipërisë dhe Greqisë, pasi kjo e fundit akuzonte se gjithçka ishte kryer me qëllim dhe prapavijë nacionaliste.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *