Nga Fisnik Xhinxhifi
Antescript
Nëse mendon se ky shkrim është prej xhelozisë, inatit personal apo i porositur nga dikush, atëherë më mirë mos e lexo fare dhe kurse për veten 5 minutat.
Prej fëmijërisë deri më sot që më kanë dalë thinjat, unë dhe miliona të tjerë si unë kemi pjesë të përditshmërisë futbollin. Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit edhe persona të cilët nuk kanë pasur mundësinë të shikojnë yjet e dikurshëm në futbollit mund t’i ndjekin dhe shijojnë magjinë e tyre ose të bëjnë krahasimet sipas dëshirës me sportistët që luajnë sot. Media, teknologjia e informacionit në njëfarë mënyrë e kanë zbehur rolin e profesionistëve të cilët kanë përvojën personale, profesionale dhe kohën e duhur për të t’i ndjekur ndeshjet me dekada dhe për të kuptuar më mirë futbollin. Për shembull tifozët që mund të jenë bërë me Holandën prej Roben dhe Shnajder në Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010, kanë sot mundësinë të shijojnë ekipin e mrekullueshëm të drejtuar nga Mishels i cili fitoi evropianin në 1988. Kjo falë teknologjisë.
Po çfarë ndikoi që nise të shkruash këto rreshta do të pyesni ju. BBC, po BBC-ja. E pranuar gjerësisht si TV dhe shkolla më e mirë e gazetarisë, prandaj dhe i referohem pikërisht BBC, sepse duhet të shikojmë përpara tek modelet më të mira. Në BBC, në emisionin dedikuar evropianit pashë se moderatorja nuk kishte zbuluar hiret, nuk ishte ndonjë yll i bukur dhe kishte një makiazh të lehtë. Të ftuar në studio ishin disa nga legjendat e kampionatit anglez të futbollit. Sigurisht këta ish-futbollistë janë trajtuar disi dhe kanë edhe vetë aftësi komunikative për të qenë të pranueshëm që të dalin dhe të flasin në tv. Sepse edhe TV si çdo punë tjetër ka rregullat e tij. Rio Ferdiand, Tieri Honri, Jurgen klinsman, Alan Shirër, Geri Lineker janë disa nga emrat që shfaqen në TV për evropianin ose evente të tjera futbollistike. Po në Shqipëri?
Nuk dua t’i fus të gjithë në një thes, por në mediat kryesore programet për këtë evropian veç me futbollin nuk duket se kanë lidhje. TV Klani, i cili pretendon se është tv më i ndjekur në vend me 46% të audiencës, (mund të jetë e vërtetë, pse jo) nuk e kam parë të transmetojë emision për futbollin. Mirë e bën, i bie shkurt duke shfaqur telenovela turke që të këpusin shpirtin.
RTSH-ja, media më e vjetër në vend, nuk e di a ia vlen të harxhosh kohë me të. Pas skandalit të 2006 kur nuk e transmetoi fare botërorin që zhvillohej në Gjermani, tani vjen dhe jep diku tek 60% të ndeshjeve. Pas ndeshjeve në grupe në fazën me eliminim direkt, pritet të transmetohet të gjitha ndeshjet. E di ti o lexues se e ka për detyrë të transmetojë të gjitha ndeshjet? Mirëpo “Euro Magjia” nuk shikohet. Drejtuesja, një ish-miss, ka qenë dhe mbetet yll edhe tani në të 40-tat, por kësaj punës së futbollit duket se nuk ia thotë shumë. Sapo nisin të flasin specialistët e futbollit i ndërpret fjalën me padurim dhe nis me humorin bajat të Flor Binaj të cilin nuk mjafton gjithë vitin që e shohim në Portokalli por duhet të përzihet edhe me futbollin. Dreqi ta hajë, emisionet kanë një skaletë, jo thejsht bisedë kafenesh të tipit: Hë çna thua ndonjë gjë? Apo lidhje live qe në çdo kompeticion venë dhe intervistojnë atë tipin ë merret me qoftet. E të njëjtën gjë bëri dhe një gocë bionde para disa netësh ku ia la mikrofonin në dorë djalit të stafit të lokalit dhe vetë filloi të merrte buke me sallam. Me të vërtetë ide origjinale.
Ëndrra e Tanit vazhdon???
“Top Channel” ka qenë pararojë e zhvillimeve teknologjike dhe programacionit për mediat në Shqipëri. Ajo çka nisi dhe realizoi Dritan Hoxha është një arritje e rrallë për gjithë shoqërinë tonë, jo vetëm për mediat dhe gazetarinë. Po sot? A PËRPUTHET ëndrra e Tanit me aktualitetin e asaj medie?
Të mos keqkuptohemi, nuk ka asgjë të keqe të kërkosh dashurinë në TV, të nxjerrësh hiret e gocave, të bësh “skandale” etj. Fundja qëllimi kryesor i një TV-je privat nuk është edukimi dhe emancipimi. Por siç thotë populli gjella me kripë dhe kripa me karar. Vërtet “Përputhen” sjell shumë para për televizionin dhe e mirëkuptoj rëndësinë e përputhsave, por nuk mund të dalin përputhsat në të gjitha ekranet, në të gjitha mediat, në të gjitha programet. Siç shkruajta dhe më lart TV ka rregullat dhe deontologjië (etikën) e saj. E njeh Mevlani apo Çimi si bëhet Tv dhe gazetari?
Në Euro 2020, janë 24 ekipe. Prezantueset a i dinë të paktën emrat e të gjithë trajnerëve. Po në botëror që janë 32 ekipe, a mundet që një i ri që e shkelmojnë në drejtimin emisionit të mbajë mend të paktën emrat e trajnerëve? Le pastaj për historinë se si janë kualifikuar ekipet, çfarë skemash përdorin etj.
Programet dhe stafet e tyre të tutorit ose autorit ( mesa duket po bëhen “sinonime” këto kohë) Ed Manushi janë vërtet argëtuese dhe mesa kam dëgjuar fitimprurëse. Por sa vlejnë profesionalisht? Edhe Manushi sapo fillojnë të flasin specialistët e futbollit, u kthehet bukurosheve që fton dhe i pyet për thonjtë, flokët, për hiret, ose për dashurinë. Edhe sa kohë kështu? A është krijuar Top Arena për të folur për futbollin apo ne e kemi kuptuar gabim?
Gjithçka qenka keq? Jo, absolutisht jo. Në botërorin e 2018 gazetari Andi Nuraj në “Vizion Plus” zhvilloi, për shijet e mia sigurisht, emisionin më të mirë futbollistik. Në panel të emisionit të tij ishin të përhershëm tre persona që e njohin mjaft mirë futbollin, ish-futbollisti Klodian Duro, ish-arbitri Uvil Zajmi dhe gazetari me përvojë i sportit, Lirim Zalla. Sigurisht, çdo natë kishte dhe një të ftuar jashtë botës së futbollit por që ishin në minorancë dhe gjatë atyre minutave flitej dhe debatohej vetëm për arsyen që ishte krijuar emisioni, për futbollin dhe për botërorin.
Si tifoz i futbollit, uroj që gjërat të ndryshojnë, në të kundërt këmbët do të vijojnë t’i bien kokës dhe opsionet e vetme do të jenë mediat e huaja. Fundja pse duhet studiuar gazetari, komunikim, filozofi, regji? Me këtë që po shohim i bie që nëse do sukses në media, palestrohu, zbukurohu, zhvishu, bëhu vulgar dhe je “cool”.
/Priza.al/