Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka reaguar për vdekjen e 27 vjeçarit Jani Rustemaj i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në QSUT ku prej një muaji qëndronte në gjendje kome pasi u transportua nga burgu ‘313’ në Tiranë ku mbahej i arrestuar për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atleteve.
Në një reagim në facebook, Berisha e cilëson vdekjen e të riut si një tjetër krim shtetëror, ndërsa akuzon policinë për dhunë të egër ndaj 27 vjeçarit.
Mes të tjerash, Berisha i bën thirrje Avokatit të Popullit të hetojë ngjarjen dhe Komitetittë Antitorturës të Këshillit të Europës për të nisur hetimet mbi vdekjen e Jani Rustemit dhe të rinjve të tjerë që kanë ndërruar jetë pasi janë ndjerë keq në ambientet e paraburgimit.
Reagimi i plotë i Berishës:
Një krim tjetër horror shtetëror!
I riu, Jani Rustemi i ndaluar nga policia, u dërgua në gjendje kome pas keqtrajtimit shtazarak nga kriminelët me uniformë dhe vdiq dje në QSUT.
Ai mbahej në paraburgim me akuzën se kishte kishte marrë pa leje një qilim. Familjarët deshmojnë se në paraburgim ndaj Janit është ushtruar dhunë e egër nga banditë me uniformë.
Kjo është vrasja shtetërore e radhës nga kriminelë me uniformën e një qytetari të ndaluar nga policia.
I shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe si vrasje të mirëfilltë shtetërore të Jani Rustemit.
I bëj thirrje Avokatit të Popullit të hetojë me përparësi dhe denoncoj publikisht këtë akt kriminal të banditëve me uniformë. I bëj thirrje Komitetit të Antitorturës të Këshillit të Europës të ndërmarrë hetime për vrasjen me tortura të Jani Rustemit dhe shumë të rinjve të tje nga xhelatë me uniformë në burgjet dhe paraburgimet e narkoshtetit të Shqipërisë.
Sipas një raporti të publikuar nga Komiteti i Helsinkit thuhet se 27 vjecari, përdorues, droge, pas shqetësimeve të shfaqura ka marrë trajtimin e parë një ditë pasi është futur në Bllokun e sigurisë, duke u trajtuar me metadon. Por në kartelën mjekësore të të riut, nuk rezulton të jetë kryer asnjë analizë mjekësore për gjendjen e tij dhe për vijimin e mjekimit. Ndërsa pasi ka vijuar të rëndohet është trajtuar me medikamentin diazepam, por pa specifikuar dozën dhe pse u rekomandua ky mjekim.
Por çfarë ndodhi që e çoi të riun në këtë gjendje?
Jani Rustemaj u arrestua më 13 prill. Sipas policisë së Tiranës, më 14 prill, gjatë qëndrimit në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” ka shfaqur probleme shëndetësore. Është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, – thotë policia – të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar”.
Sipas kartelës mjekësore të riut i është dhënë metadon për qetësim, pasi prej varësisë nga heroina ka nisur të ndihet keq. Një ditë pasi dyshohet të ketë pirë metadon, më 15 prill Jani Rustemaj është dërguar në gjykatë, ku pavarësisht gjendjes shëndetësore që kishte kaluar, togat e zeza i vendosën masën e sigurimit personal të arrestit me burg. Më 16 prill, 27-vjeçari është dërguar në paraburgim te 313-a, por autoritetet e burgut, “nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim – thotë zyrtarisht policia- për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë”. Më 17 prill i riu i arrestuar ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku ndodhej në gjendje kome derisa ndërroi jetë sot ditën e djeshme.