Detaje të reja nga hetimet për vdekjen e 34-vjeçares në Kosovë, Artila Kamberi, e cila vdiq të enjten pasi dyshohet se kërceu nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’.
Për rastin tashmë janë intervistuar edhe disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe 32-vjeçari që po qëndronte me të ndjerën. Prokurori i Shtetit, Armend Hamiti, në një prononcim për Sinjalin ka bërë të ditur se nuk ka të arrestuar dhe deri tani nuk ka persona që janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Hamiti tha se rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes/ Vetëvrasje” dhe në bazë të rezultateve, do të zbulohen edhe rrethanat e tjera të rastit.
“Rasti është duke u trajtuar me dyshimet si Hetim i vdekjes/vetëvrasje. Nuk ka persona të arrestuar. S’ka persona të dyshuar lidhur me rastin. Jemi në fazë të hetimeve. Jemi t’u këqyrë, tash po i pres rezultatet, ekspertizat, se a ka najsen tjetër,” tha ai.