Familja dhe mbështetësit e Aleksei Navalnyt, kanë vazhduar të kërkojnë qasje për të marrë trupin e kritikut të ndjerë të Kremlinit, teksa vazhdojnë të arrestohen ata që bëjnë homazhe për të. Autoritetet ruse kanë thënë më 16 shkurt se ai ka vdekur në një burg në Arktik.
Gazeta me bazë në Letoni, Novaya Gazeta, ka thënë më 18 shkurt se policia është duke e ruajtur një morg lokal në qytetin siberian Salekhrad, teksa rriten spekulimet se ku gjendet trupi i 47-vjeçarit, sipas REL. Familja e Navalnyt dhe ndihmës të tij të ngushtë, kanë konfirmuar vdekjen e tij në burg, dhe kanë kërkuar që t’iu dorëzohet trupi, mirëpo autoritetet e kanë refuzuar kërkesën, duke u kanë thënë avokatëve dhe nënës së tij, që “hetimet” për shkakun e vdekjes do të përfundojnë brenda javës.
Faqja Mediazona, ka raportuar më 18 shkurt që në kamerat afër burgut të ashpër të Arktikut, të quajtur “Ujku polar”, janë parë katër makina që besohet se e kanë bartur trupin e Navalnyt. Novaya ka raportuar, duke u bazuar në disa burime anonime, se në trupin e Navalnyt janë parë shenja të mavijosjes. Mirëpo këto raportime nuk janë identifikuar në mënyrë të pavarur. E veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, do të takohet të hënën në Bruksel me ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, është zotuar se “ministrat e BE-së do të dërgojnë mesazh të fuqishëm të mbështetjes për luftëtarët e lirisë në Rusi dhe do të nderohet kujtimi për Aleksein”. Prej kur është bërë publik lajmi për vdekjen e tij, policia ruse i ka rrethuar disa zona ku njerëzit kanë ndezur qirinj dhe kanë dërguar lule, në nderim të Navalnyt. Forcat policore ruse i kanë shpërndarë mbështetësit dhe i kanë arrestuar më shumë se 400 persona në të paktën 36 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin nuk ka përmendur Navalnyn deri më tani dhe as vdekjen e tij. Mirëpo Perëndimi e ka dënuar Putinin dhe administratën e tij, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “nuk ka dyshim” që Putini duhet fajësuar për vdekjen e Navalnyt. Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht. Ai është helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim. Navalny është shëruar në Gjermani, pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, është dërguar në burg.