Mediat e huaja raportojnë një ngjarje shumë të rëndë të ndodhur në Belgjikë me protagonistë 5 adoloshentë, të cilët dyshohet se në grup kanë abuzuar seksualisht me një të mitur. Fatkeqësisht, 4 ditë më vonë 14-vjecarja ka humbur jetën. Ajo çka e bëri edhe më të frikshëm këtë ngjarje ishte shpërndarja e videos së sulmit në internet.
Prokurorët thonë se tre nga të dyshuarit, të cilët janë të mitur, ndodhen në një strukturë rinore, ndërsa dy tjerët të moshës 18 dhe 19 janë arrestuar dhe do të paraqiten në gjykatë. Prokuroria ka konfirmuar se ata po hetohen për “veprime të ndodhura pak para vdekjes së viktimës”.
Sipas raporteve të mediave belge, vajza do të takonte një mik në një varrezë në Ghent më 15 maj. Dyshohet se ai mbërriti bashkë me katër të dyshuarit e tjerë ku abuzuan seksualisht me viktimën. Imazhet nga abuzimi u shpërndanë gjithashtu në mediat sociale.
“Imazhet ishin pika e fundit për të … e gjithë bota e saj u shemb”, tha babai i saj për gazetën belge Het Nieuwsblad.
Rasti ka nxitur reagimin e fortë të politikanëve belg, duke filluar nga Sekretarja e Shtetit për Barazinë Sarah Schlitz e cila u zotua që të marrë masa për të parandaluar shpërndarje e imazheve të sulmit seksual në internet. “Shpërndarja e imazheve të tilla në mediat sociale nuk është thjesht e patolerueshme, por edhe krejtësisht e paligjshme” ,tha ajo, duke shtuar se ekipi i saj do të takohej me përfaqësuesit e kompanive të mediave sociale për të diskutuar politikat e moderimit.
“E tmerrshme. Nuk ka fjalë,” shkroi Ministri belg i Drejtësisë Vincent van Quickenborne në Twitter. “Unë u bëj thirrje viktimave të dhunës seksuale: paraqitni një ankesë,” tha ai, duke vënë në dukje se ndihma ishte në dispozicion dhe se sistemi i drejtësisë do të “bënte gjithçka” për të gjetur dhe ndëshkuar autorët, si dhe ata që ndanin imazhe të sulmit seksual.
Liesbet Stevens, një ekspert në barazinë gjinore, i tha VRT News se sulmi “për fat të keq nuk është një rast i izoluar”, duke vënë në dukje se rreth 200 përdhunime bandash raportohen në Belgjikë çdo vit.