Veliaj: 100 terrene të reja sportive në vitin e Tiranës si Qyteti Europian i Sportit

Tre fusha të reja sportive, një fushë minifutbolli dhe dy fusha për lojërat me dorë, i janë shtuar shkollës 9-vjeçare “Mihal Grameno” në Tiranë. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh i lumtur për shtimin e terreneve sportive në ish-lagjen ku ai është rritur, ku fëmijët mund të merren me futboll, basketboll, volejboll apo atletikë.

“Kam nostalgji kur kthehem në fushën ku unë kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë sime, deri në moshën 11 vjeç. Dikur ishte një fushë e degraduar, e bërë me kushte rrethanore të kohës. Sot shohim një terren tjetër, jo vetëm dita me natën me atë që ka qenë, por i denjë edhe për çdo vend në perëndim. Lajmi i parë i mirë për lagjen është hapja e shkollës “Bashkim Fino”, që ndodhet vetëm 100 metra në vijë ajrore nga këtu, çka ka ulur pak presionin në shkollën “Mihal Grameno”. Lajmi i dytë i mirë pas rikonstruksionit të shkollës, janë padyshim këto terrene sportive. Ne duam që të kemi 100 terrene të tilla këtë vit, duke qenë se Tirana është edhe Qyteti Europian i Sportit” – theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri edhe një ftesë për prindërit, që të regjistrojnë fëmijët në sport, si mënyra më e mirë për shëndetin dhe mirërritjen e tyre. Në vijim, ai përmendi faktin se Tirana është qyteti ku është rritur shumë vlera e pronës, prandaj edhe shkolla dhe terrenet sportive duhet të shfrytëzohen gjatë gjithë ditës, edhe pas mësimit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *