Në prag të festave të fundvitit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga myftiu i Tiranës, Lauren Luli, shërbyen drekën për njerëzit në nevojë në Qendrën Komunitare “Të Qëndrojmë së Bashku” në Kombinat. Veliaj tha se, sidomos në ditë të vështira, duhet t’i shërbejmë njëri-tjetrit pa dallim.
“Në ditën e nevojës, kur bie tërmeti dhe kemi nevojë për ndërhyrje, për të bërë shtëpitë e njerëzve, për t’i strehuar, kemi nevojë për paketa ushqimore, për vakte, ashtu si në ditët e pandemisë kishim nevojë për doktorë, për mjekë, për specialistë, që shkonin deri në fshatin më fundor, prandaj Laureni është për mua një mik, një shok, një vëlla, jo i ditëve të bukura, kur ne urojmë njëri-tjetrin Gëzuar Vitin e Ri, Gëzuar Bajramin, Agjërim të lehtë, por ky është një shok për ditët e mia të vështira. Ne nuk duhet të ndahemi, veriu me jugun, myslimanët me të krishterët, vendalinjtë me të ardhurit, por në një qytet si Tirana, ku të gjithë kemi vendosur të jetojmë, na lipset më shumë se kurrë të jemi bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe t’i shërbejmë secilit pa asnjë dallim, me respekt dhe me dinjitet”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që, nëse kanë mundësi, të kontribuojnë sadopak, për të bërë të lumtur personat në nevojë, qofshin ata në qendra sociale apo komshinjtë e tyre në derën përbri.
“Ne kemi përgatitur mijëra pako për fëmijët në nevojë. Duam që, në të gjithë qendrat sociale, të festojmë festat. Por dua t’u bëj një thirrje edhe atyre që na dëgjojnë, që ndoshta i kanë punët në rregull, i ka bekuar Allahu, i ka bekuar Zoti me të mira, me të mira materiale, që ndoshta iu dalin, por edhe iu teprojnë. Nëse janë tek kjo kategori, ata e dinë vetë kush është në nevojë në pallatin e tyre, kush është me aftësi ndryshe, kush është ndoshta një emigrant që sa na ka ardhur në Tiranë dhe ka nevojë për solidaritet e ndihmë. Thirrja për të gjithë ata është: Nëse ju ka bekuar Perëndia me më shumë se ç‘keni nevojë, jepni një pjesë, bëni një dhuratë, jepni një vakt, ftoni dikë në shtëpi, bjerini telefonit të dikujt që ka nevojë. Për ju mund të jetë një gjë shumë e vogël, për atë që është nevojtar është një gjë e jashtëzakonshme, se jep gëzim, solidaritet dhe dashuri në këto ditë të festave”, përfundoi Veliaj.