Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u takuan me banorët e Njësisë 9, në vijim të fushatës së gjelbër për zgjedhjet e 14 Majit. Sipas Veliajt, Partia Socialiste është një forcë që mbështetet tek secili prej anëtarëve të saj, si një familje, ndërsa në kampin kundërshtar fiton ai që gënjen më shumë.
“Hera e fundit që ishim këtu, unë mbështesja Ogertën si kandidate për deputete të Partisë Socialiste dhe patëm një rezultat të jashtëzakonshëm në Njësinë 9. Sot rikthehemi dhe është Ogerta që po më mbështet mua. Në PS kështu funksionon: Ne ndihmojmë njëri-tjetrin, bëhemi krah për njëri-tjetrin dhe e mbështesim njëri-tjetrin. Familja jonë politike është normale. Por, nuk ndodh kështu për të gjithë. Shikoni te ana tjetër. Edhe atje ishin dy shokë shkolle, që kandidonin në primare. Njëri u diplomua, i bëri të pesë vitet e shkollës. Tjetri nuk e mbaroi shkollën. E patë kush fitoi? Te partia e humbësve fitoi ai që gënjeu, që mashtroi, që e la punën përgjysmë, që shiti shokët, që e braktisi detyrën dhe vazhdon gënjen,” u shpreh ai.
Veliaj ftoi çdo qytetar të vlerësojë vlerat e vërteta të forcës politike që iu besojnë votën: “Sot zgjedhja është shumë e thjeshtë. Kemi një skuadër që ishte këtu në ditët më të vështira dhe do të vazhdojë ta çojë Tiranën përpara dhe kemi dhe një skuadër ku shoku nuk flet mirë për shokun, shoku ia fut shokut. Shoku që fiton është shoku që ka gënjyer më shumë, që ka lënë në baltë, diplomën, shkollën, shoqërinë dhe jo shoku që i ka çuar gjërat deri në fund. Kjo është diferenca mes dy ideve, mes dy koncepteve, mes dy vlerave, të atyre që duan ta çojnë Shqipërinë përpara dhe atyre që duan ta mbajnë mbrapa,” deklaroi ai.
Manastirliu tha se Njësia 9 në këto vite ka ndryshuar tërësisht sikurse ka ndryshuar dhe është transformuar gjithë Tirana. “Nga kilometri zero, që është sheshi “Skënderbej”, me Bulevardin “Zogu i Parë”, me Bulevardin e Ri që hap tashmë një tjetër arterie të zhvillimit të qytetit për Tiranën dhe gjithë komunitetin e banorëve të Njësisë 9, duke përfshirë këtu çfarë investimesh kanë ndodhur, të cilat realisht kanë përmirësuar cilësinë e jetës nga fëmijët deri tek të moshuarit. Ndaj, jam krenare të them me sa shumë punë vijmë ne këtu përpara jush. Ajo që ka ndodhur me Tiranën është një model suksesi. Kjo nuk ka ardhur në një ditë, ka ardhur për arsye se ne kemi një kryetar, shokun tim Erionin dhe jam krenar për këtë, që i mban premtimet. Bën atë që thotë,” u shpreh ajo.