Veliaj: Emrat më të mëdhenj të hotelerisë në botë po vendosen në Tiranë

Turizmi ishte tema e videomesazhit të javës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke sjellë në vëmendje faktin se industria e turizmit në Tiranë sot po kalon ditët më të mira, Veliaj tha se shifra e mbi 4 milion turistëve që vizituan vitin e shkuar Kryeqytetin, erdhi falë investimeve të 8 viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.

“Pavarësisht bindjeve, shumica prej nesh biem dakord se, vitet e fundit, Tirana është kthyer realisht në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit, me Festat e Pavarësisë. Unë ju ftoj të zgjidhni një orë të ditës, kaloni në Sheshin Skënderbej dhe grupet e turistëve në gjuhë të ndryshme do t’ju vërtetojnë se këto janë ditët më të mira edhe për turizmin në Tiranë,” tha ai, duke theksuar se ky është një lajm fantastik, jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë.

“Pyetja është, si kemi arritur deri këtu dhe si kemi bërë të mundur që nga viti 2015-2016, kur Tirana regjistronte jo më shumë se 100 mijë turistë në vit, 8 vjet më pas shifra e tyre të shkojë në 4.5 milion? Përqasja jonë për të zhvilluar turizmin ka qenë e trefishtë: të ruajmë identitetin historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme që realisht janë shpallur monumente të kulturës, t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike dhe e treta të investojmë për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet,” shpjegoi Veliaj.

Ai përmendi disa nga projektet e mëdha që e kthyen Tiranën në kryeqendër të rajonit dhe një pol turistik, por që shpesh janë anatemuar dhe janë bllokuar nga një pjesë e politikës.

“Sheshi Skënderbej nuk është më një rrethrrotullim, por një hapësirë fantastike për turistët dhe për aktivitetet. Pazari i Ri, Kalaja, Sarajet e Toptanasve, që Bashkia i ka blerë, Shtëpia Kadare, Shtëpia Dritëro Agolli, që gjithashtu janë blerë nga Bashkia, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe, stadiumi Arena Kombëtare, janë histori suksesesh, të cilat nuk i kemi pasur, por janë bërë falë punës në këto 8 vitet e fundit. Kanë sjellë më shumë punë dhe zhvillim për qytetin, për gjithë Tiranën tonë dhe kanë ndikuar që qyteti ynë të vizitohet nga këta miliona turistë,” u shpreh Veliaj.

Ai u ndal edhe te kullat e Tiranës, të cilat janë sulmuar shpesh nga politika. “Kullat e Tiranës, sidomos të qendrës, janë mundësia e artë për të sjellë investime të klasit botëror në fushën e turizmit. Fatkeqësisht, ndërtimi i tyre është sulmuar shumë nga njerëz që nuk e kuptojnë potencialin që ato kanë për turizmin. Histeria se këto ndërtime po bëhen në prona publike është po ashtu e rreme. Janë në pronat e tyre private. Kush investon në sektorin e turizmit është guximtar, duhet t’i jemi mirënjohës, t’i themi bravo të qoftë, sepse janë përfaqësuesit e parë të Tiranës dhe Shqipërisë me turistin e huaj, me atë që na viziton,” deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se ndërtimi i kullave ka sjellë në Kryeqytet disa nga brandet më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit. “8 vjet më parë nuk kishim asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë. Asokohe, gjithollogët thoshin se Tirana s’ka turizëm, se nuk ka mundësi për turizëm. Ndoshta, me të drejtë, sepse si mund të ketë turizëm kur nuk kemi ku t’i strehojmë turistët? Turizëm në shtëpi qerpiçi nuk mund të ketë. Sot kemi hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë: Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që jo vetëm e kanë plotësuar mungesën e shtretërve të Tiranës, por kanë sjellë punësim, kanë sjellë edhe dije për sektorin vendas,” -u shpreh ai. Tirana sot shkëlqen, shtoi kryebashkiaku, dhe është shumë herë më e pastër, më e gjelbër, por edhe më mikpritëse.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *