“Partizani”, një tjetër shkollë e Tiranës, është drejt përfundimit të rikonstruksionit dhe në qershor do të presë maturantët e saj, në ceremoninë e diplomimit.
Për të gjithë ata që regjistrohen për herë të parë në këtë gjimnaz, godina do të jetë gati në muajin shtator, me hapësira shumë herë më të mëdha, me laboratorë të rinj, palestër dhe klasa të reja mësimi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo shkollë do të jetë një tjetër bizhu për qytetin.
“Për ata që menduan se ndërtimi i shkollave ishin muhabete fushate, mund t’ju them se nuk kanë parë gjë akoma! Shkollat do vazhdojnë të ndërtohen, ashtu siç do vazhdojmë të mbjellim pemë. Unë besoj te fushata e përditshme sepse njeriu punon përditë, jo vetëm në 30 ditët e fushatës. I jemi rikthyer punëve të qytetit dhe kjo qshtë një nga punët që kam më për zemër: gjimnazi ‘Partizani’, një shkollë në mes të Tiranës, në zonën e Selvisë, do të jetë një bizhu për qytetin, por sigurisht, edhe një aset i mrekullueshëm për prindërit, për ata që dritën e syrit ia besojnë drejtoreshës, na e besojnë ne, institucioneve dhe ndërtesave që ndërtojmë,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se çdo gjë është transformuar në funksion të nxënësve dhe se në qershor maturantët do të jenë të parët që do e përurojnë shkollën.
“Lajmi i mirë është se do të përgatitemi që në qershor të kryejmë diplomimin këtu dhe të sigurohemi që, të paktën diploma e ‘Partizanit’ të përkojë edhe me një ceremoni te shkolla e re ‘Partizani’. Do të ketë shumë pak gjëra që ngjajnë me shkollën e vjetër, ndoshta vetëm ca kujtime të oborrit. Çdo gjë është transformuar totalisht. Më vjen mirë që kemi shtuar disa ambiente edhe për mësuesit, edhe për laboratorët, dhe një super palestër ku ‘Partizani’ do vazhdojë të mbajë traditën e lojërave me dorë, ku ka qenë gjithmonë një nga konkurrentët tanë më të fortë në basketboll dhe volejboll,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi të gjithë prindërit që t’i regjistrojnë gjatë muajve të verës fëmijët në këtë gjimnaz.
“Ftesa për të gjithë prindërit është: tani që jemi në fund, do të shfrytëzojmë të gjithë verën për të bërë mobilimin e shkollës, për të gjitha pajisjet higjieno-sanitare dhe ndriçimin led. Kjo do të thotë se garancia për të pasur një shkollë fantastike, si të gjitha shkollat e reja të Tiranës brenda lagjes ose brenda konturit të rrugëve, afër shkollës ‘Partizani’, është 100%. Kemi sot një garanci të një shkolle çka na mundëson t’iu bëjmë një ftesë të gjithë banorëve të vijnë dhe t’i regjistrojnë fëmijët këtu. Nuk ka asnjë arsye pse të dyndemi në shkollat e tjera. Jemi shumë mirënjohës për ‘Shkollën e Kuqe’ dhe të tjerët që na dhanë mundësi akomodimi gjatë kohës së kantierit, por tani kemi shkollën tonë,” vijoi ai.
Ai u shpreh gjithashtu se edhe shkollat e tjera të nisura janë drejt përfundimit.
“Sot Njësia 8 është drejt kompletimit në të gjithë sistemin arsimor. Kemi bërë shkollat “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qirjazi” te zona e Rrugës “Besa”, pranë Bregut të Lumit. Po mbarojmë shkollën “Lekë Gjiknuri” te Medreseja, po mbaron edhe ‘Partizani’, dhe unë them se kemi plotësuar totalisht të gjithë sistemin parauniversitar. Lagjja po rritet dhe do kemi nevoja të tjera. Por e kemi kapur ritmin e Tiranës që është rritur deri tani, plus e kemi bërë edhe pak më të madhe. Çdo shkollë e re është bërë më e madhe seç ka qenë ekzistuesja. Plus janë bërë disa shkolla komplet nga fillimi, si institucione të reja. Ndaj jemi përgatitur edhe për 2-3 dekadat e ardhshme. Unë them se kemi mbajtur një premtim dhe mund të shohim njerëzit në sy për të gjitha institucionet arsimore,” tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë theksoi edhe faktin se në Njësinë 8, por edhe në të gjitha njësitë e tjera të Tiranës do të ketë edhe një raund të dytë të gjithë projekteve të asfaltimit.