Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti ekipin e volejbollit të meshkujve KS Tirana, të cilët fituan Kupën e Shqipërisë për sezonin 2022-2023. Kupë kjo që i jep të drejtën e përfaqësimit të Tiranës në Kupat e Europës në volejboll. Kryebashkiaku Veliaj tha se është krenar që ekipi i volejbollit të meshkujve KS Tirana është më i miri në Shqipëri.
“Askush nuk bën skuadër, po s’pati vullnet të bëjë skuadër. Mjafton njëri nga çunat këtu të jetë mos-bashkëpunues dhe kimia e skuadrës prishet. Fakti që skuadra krijohet kur secili lë pak nga vetja, për të mirën e përbashkët, është vërtetë histori e suksesit. Është një krenari e jashtëzakonshme të jemi më të mirët e Shqipërisë! Unë besoj fort se do të kemi një paraqitje dinjitoze. Ajo që ma ngroh vërtet zemrën, është që më në fund nuk po mendojmë si ajo flutura e majit, që jeton vetëm 1 ditë. Këtu duhet të mendojmë për të nesërmen dhe fakti që ekipet zinxhir janë gjithashtu mirë, edhe fakti që ne po rekrutojmë talente nga ekipet zinxhir, do të thotë se më në fund kemi ndërtuar një strategji” – tha Veliaj.
Veliaj ftoi prindërit që të angazhojnë fëmijët e tyre në aktivitete sportive, sepse vetëm kështu mësohet puna në skuadër.
“Për të gjithë prindërit, kur më pyesin ku t’i regjistroj fëmijët, u them në një sport që luhet në skuadër, ku njeriu mëson se nuk fiton dot vetëm, por edhe kur humbet ngushëllohet më kollaj kur e ndan me të tjerët. Jeta nuk është vetëm fitore, jeta ka edhe humbje. Por kur je pjesë e një skuadre, karakteri yt formohet më shpejt. Ndaj, ftesa për të gjithë prindërit është: Sebepin e Qytetit Europian i Sportit, duhet ta kthejmë në një mënyrë për të regjistruar fëmijët në aktivitete sportive, ku më shumë sesa t’ju matim parametrat atletikë – padyshim kush janë më të mirët, bujrum në skuadrat elitare – duhet të jetë një mënyrë për të ndërtuar çunat dhe gocat e Tiranës nesër. Po të shikosh, edhe te zanati im, ata që janë më zevzekë, ata që janë më gërnjarë, më pengues, kanë një gjë të përbashkët, s’janë marrë kurrë me sport” – tha Veliaj.