Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike në Kavajë, aty ku në zgjedhjet lokale të 14 majit kandidon Redi Krajli.
Duke theksuar se PS është e vetmja forcë që di të vetëkorrigjohet dhe që e mban derën hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet në misionin e saj për transformimin e Shqipërisë, Veliaj ironizoi edhe opozitën për situatën ku e ka futur veten. “Kur dëgjoj lloj-lloj justifikimi, pse kundërshtarët tanë janë në atë derexhe ku janë, është tipike e njeriut që gabon dhe e trash zullumin e vet. Thotë: ‘jo po ma bëri Erion Veliaj me ambasadën’, ‘jo po Sorosi me Zelenskin’, ‘jo po dreqi me të birin’ – këto janë marrëzitë e një njeriu që nuk e kupton se arsyeja pse shkon nga humbja në humbje është se nuk arrin të gjejë gabimet tek vetja”, tha Veliaj.
Ai tha se Partia Socialiste ka një filozofi krejt tjetër, që e bën fituese. “Arsyeja pse ne, si Parti Socialiste, shkojmë nga një betejë e fituar në një betejë tjetër të fituar, është se kemi arritur të kuptojmë se mund të vetëkorrigjohemi. Asnjë nuk është perfekt, të gjithë bëjmë gabime: ndoshta dikujt duhet t’i flasim me përulësi, t’ia shpjegojmë diçka jo njëherë, po tre herë, dikë tjetër duhet ta pranojmë ashtu siç është, me gjithë paragjykimin që mund të ketë pasur për forcën tonë, por që gjithmonë ka shansin të bashkohet me ne, të jetë pjesë e një skuadre që e mban derën hapur”, u shpreh Veliaj.
Për opozitën, ai tha se funksionon si Big Brother. “Sa herë që ata takohen, thonë kë do nxjerrim sot nga shtëpia. Sa herë takohemi ne, themi kë do fusim sot në shtëpinë tonë të madhe socialiste. Janë dy filozofi të ndryshme. Filozofia e tyre është të gjejnë gabimin te tjetri, të përjashtojnë kë të munden, kurse filozofia jonë është të reflektojmë për çfarë gjërash mund të bëjmë më mirë dhe kë mund të bëjmë pjesë të skuadrës sonë – sepse askush nuk është i padobishëm, askush nuk është i panevojshëm, secili është i dobishëm, me aq mundësi sa ka”, vijoi Veliaj.
Veliaj tha se Sali Berishën, njeriu që i përçau shqiptarët, që i vodhi shqiptarët, që u thoshte se Piramidat janë koncepti ynë i kapitalizmit, e ka zënë shprehja e gjysheve, kur thonin ‘të humbtë vula’. “Për një njeri, që i shërbente Millosheviçit, një tradhtar i rëndomtë, që me asprat që merrte për të tradhtuar vendin, i shërbente xhelatit më të madh që njohu Ballkani, e zunë mallkimet e nënave dhe gjysheve tona; një njeri që vrau njerëz me plumba në mish në Bulevard, siç e dëgjuat nga audiot, me zjarr luftarak, e zunë mallkimet e prindërve tanë dhe sot është vulëhumbur. Sot është bërë tamam i ziu vulëhumbur. Një burrë 80-vjeç, që nuk di çfarë flet e mallkon, merr njerëzit në qafë”, u shpreh ai.
“Shpresoj shumë që në këto zgjedhje, ne të kemi një zgjim kombëtar, për të kuptuar se kush e mban vendin pas, kush na tërheq nga pas xhaketën, kush na përçan, kush ka mbjellë helmin dhe toksinën e përçarjes së veriut me jugut, me ardhurit dhe vendalinjtë. Kush? Ai është vulëhumburi,” shtoi ai.
Në fund, Veliaj bëri edhe një krahasim programesh: “Programi ynë janë çerdhet, kopshtet, shkollat, ujësjellësat, pemët. Po programi i tyre cili është? E dëgjoj Saliun kur vjen në Kavajë dhe thotë: Po e patë kryetarin e Bashkisë, gjuajeni me atë e me këtë. Plaku 80-vjeç, një ligësi e pashoqe, nuk ka asnjë program, ai s’ka asnjë platformë, se ndryshe do të thoshte: ‘Erion Veliaj me Edi Ramën bënë 43 shkolla, ne bëmë aq e kaq me Lulin dhe Ilir Metën’, por nuk e thotë dot se nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë, kur e kishin të tre bashkë Bashkinë e Tiranës”.