Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e tij në Njësinë 11, ku zhvilloi një takim me të rinjtë dhe të rejat e zonës, gjatë të cilit përmendi investimet në shkolla, konvikte, por edhe në terrene sportive.
“Kur dëgjoj këta që na lanë atë lloj Tirane, që thonë “përça dhe sundo”, fusin spica mes njerëzve që ata të sherrosen, që të mos kenë besim, pyes si mund të ecë shoqëria përpara pa besim. Gjasat janë që, kush ka bërë 40 shkolla, i bën edhe katër të tjera. Gjasat janë që kush ka rikthyer dy kinema, bën edhe dy kinema të tjera. Gjasat janë që kush ka liruar 20 terrene sportive, siç liruam terrenin këtu në Laprakë, i liron edhe të tjerat. Kur dëgjoja Saliun, me këto kaçarrumat e rinj, që kanë dalë për fushatë, qe thoshte do bëjmë terrene sportive, pyes: Cilat terrene sportive?! Ai e kishte dhënë për pallat fushen këtu në Laprakë. Sot fusha e Laprakës është një nga më të bukurit në Tiranë, i është kthyer komunitetit,” u shpreh Veliaj.
Detyra jonë, tha kryebashkiaku, nuk është t’u pëlqejmë të gjthëve, por t’u shrbejmë të gjithëve: “Kush i shërben të gjithëve është i fokusuar dhe thotë unë do ta liroj kinemanë “Maks Velo” dhe do ia kthej publikut. Do ta liroj kinemanë “Agimi” dhe do ia kthej publikut. Do t’i liroj pishinat dhe do i’a kthej publikut, kalçetot do t’i liroj, do ia kthej publikut, fushën e Laprakës do ia kthejmë publikut, kompleksin “Dajti” do ta liroj do ia kthej publikut. Vetëm në këtë mënyrë ne ecim përpara, duke i shërbyer të gjithëve, edhe nëse nuk na pëlqejnë të gjithë në fillim, por është vetëm çështje kohe, sa ta marrin edhe të tjerët,” deklaroi më tej ai.
Veliaj u ndal edhe te konviktet, per te cilat tha se 8 të tilla janë në dispozicion të studentëve me kushte dhe ambiente multifunksionale.
“Kanë mbaruar tetë konvikte. I ka dizenjuar i njëjti arkitekt, që ka bërë edhe Piramidën e Tiranës, për të dhënë mesazhin se edhe në periferi, edhe në qendër, po punohet me të njëjtën cilësi. Shumica e studentëve të Qytetit Studenti merrnin shtëpi me qira, se aty ishin zaptuar konviktet. Në vend që ta kemi vetëm një hapësirë për të fjetur dhe për të ngrënë, si ka qenë konvikti tipik, konviktet e reja jane një hapësirë që jeton 24 orë, për të gjitha moshat dhe të gjithë komunitetin,” vijoi kreu i Bashkisë.
Ai tha se së shpejti kampusi i Universitetit Bujqësor do të marrë statusin e teknoparkut.