Në takimit me të rinjtë e Njësisë 10, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se shoqëria jonë ka nevojë të promovojë më shumë shembujt pozitivë, frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetin, si elementët e vetëm për të ecur përpara dhe për ta bërë vendin më të mirë.
“Ka ca njerëz që praktikojnë sportin e cinizmit, që vetëm tallen dhe shajnë. Por, a keni dëgjuar njerëz të mëdhenj që shajnë vendin e tyre? Këtë e bëjnë zakonisht njerëzit e vegjël dhe inatçorë. Ndaj, unë besoj se duhet të fokusohemi të ‘sportet’ që e çojnë vendin përpara. Ky vend bëhet më i mirë nëse praktikojmë ‘sportin’ e një energjie pozitive, të bashkëpunimit, të solidaritetit, të promovimit të atij që ecën përpara me punë, të atyre që formojnë skuadër, si gocat e mrekullueshme të Tiranës këtu. Ky është sporti që na duhet sot”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se Tirana dëshmoi se është një qytet gjithëpërfshirës. “Nëse brezi ynë e kaloi kohën duke thashethemuar për njëri-tjetrin, duke i bërë llogaritë tjetrit, duke i vënë njëri-tjetrit stërkëmbësha, duke u ndarë për hesap të partisë, duke politizuar çdo gjë, sot po vjen një brez tjetër. Ajo që unë pashë në vitin kur Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, ishte se Tirana nuk është vetëm e atyre që janë këtu që nga koha e katragjyshit, por është qyteti edhe i atij çunit dhe asaj gocës që sapo ka ardhur nga Tropoja, nga Tepelena, që sapo ka filluar studimet në universitet. Ne jemi një skuadër, skuadra e Tiranës, ndaj mezi pres që vitin tjetër, teksa lëmë stafetën e Kryeqytetit Europian të Rinisë dhe marrim stafetën e Qytetit Europian të Sportit, Tirana të dalë kampione jo vetëm në sporte zyrtare, por edhe në këtë sportin e ri kombëtar, të të qenit pozitiv, të dashur, optimistë dhe bashkëpunues me njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.
I pranishëm gjatë këtij bashkëbisedimi, deputeti i PS, Fatmir Xhafaj konfirmoi mbështetjen e tij për politikat e ndërmarra nga bashkia, sodomos për të rinjtë, të cilat sipas tij janë një garanci e sigurt për të ardhmen e qytetit dhe vendit tonë.
“Një nga gjërat që e mbështes dhe jam i bindur që e mbështesni edhe ju, dhe Tirana do ta mbështesë përsëri, është sepse Erioni ka vënë në qendër të politikave të bashkisë, si pak kush më parë, çështjet e rinisë. Çfarë do të thotë jo? Ju ka vënë ju në qendër të vëmendjes, të ardhmen tuaj, të ardhmen e këtij qyteti dhe ne do duhet ta mbështesim pikërisht për ta garantuar, për të qenë një e ardhme akoma më e mirë”, theksoi Xhafaj.